60-vjeçarja në kërkim të djalit të zhdukur prej një viti

Diel, 30 September 2018 16:26

Kjo është 60-vjeçarja Zenje Lleshi (në foto). Prej një viti ajo endet në dyert e institucioneve, duke kërkuar gjetjen e të birit Artan Lleshi, i cili është zhdukur pa lënë gjurmë.

Zenja thotë se 40-vjeçari është thirrur nga shokët mbrëmjen e 5 nëntorit të vitit të kaluar dhe që prej asaj kohe nuk është parë më.

Ndonëse nuk ka shpresë ta gjejë të gjallë të birin, 60-vjeçarja kërkon nga institucionet shtetërore që të paktën të gjejnë kufomën e tij.

Zenje Lleshi: Bëri një vit djali dhe asnjë përgjigje nuk ma kanë dhënë deri më sot. Ai ka vdekur, e kanë zhdukur, ai është kalbur krejt e kam 1000%. Po të ma gjenin si kufomë, ku e kanë çuar, çfarë i kanë bërë.

Nëna e Artan Lleshit dyshon se zhdukja e të birit ka lidhje me një hasmëri mes familjes së saj dhe një tjetër familje, e cila ka nisur që në vitin 2012 në Angli.

Që prej asaj kohe familja e saj ka humbur tre persona, mes të cilëve edhe bashkëshortin.

Zenje Lleshi: Në hasmëri jemi dhe tani, ai që ka bërë krimin atje në Angli, djali i kunatit, ka vrarë një dhe ka vdek.Ai është në burg të përjetshëm këtu në Tiranë. Ngjarja ka ndodhur në Angli në 2012.

Tashmë ajo së bashku me dy fëmijët jetojnë në Tiranë por pavarësisht kësaj, frika se hasmëria do të vijojë vazhdon ta torturojë, ndaj kërkon mbrojtje.

Zenje Lleshi: Ndoshta na vrasin të gjithëve, nuk e di çfarë bëhet. Kërko mbrojtje sa të duash, ruju vetë thotë shteti.

Historia e gjakmarrjes së dy familjeve nga Burreli e ka zanafillën në 2012, kur kushëriri i Artanit, djalit të zhdukur, ka vrarë shokun e tij në Angli, i ka grabitur paratë dhe pastaj e ka djegur kufomën.

Ndonëse, Arben Lleshi, është dënuar me burgim të përjetshëm për krimin, familja e tij është përndjekur nga gjakmarrja.

Xhavid Lleshi dhe Hajredin Lleshi janë dy viktimat nga fisi i Arbenit, ndërsa të afërmit dyshojnë se janë ekzekutuar pikërisht për vrasjen e ndodhur në Angli.

Dhe për të njëjtën ngjarje dyshohet se është zhdukur dhe Artan Lleshi.

Login to post comments