Agjencia e Prokurimit Publik ka zyrtarizuar pezullimin e koncesionit për kontrollin ligjor të instrumenteve matëse, nëpërmjet verifikimit të instrumenteve shpërndarëse të karburantit dhe gazit të lëngshëm, të shpallur nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë. Në të dhënat e tenderit, APP ka njoftuar se gara është pezulluar, ndërkohë që kjo masë erdhi pas vendimit të disa ditëve më parë të marrë nga Komisioni i Prokurimit Publik.
Shkak për pezullimin u bë ankesa e kompanisë ndërkombëtare “Penzoil Tranding SA”, i cila në një reagim për TV SCAN tha se ankesa erdhi si pasojë e kushteve dhe kërkesave që duhet të plotësojnë kompanitë pjesëmarrëse, duke i konsideruar si diskriminuese kryesisht për kompanitë ndërkombëtare. Ndërkaq, burimet nga Komisioni i Prokurimit Publik thanë se vendimi për pezullimin e garës merret në momentin që vihen re arsye për të mos vazhduar procedura sepse ankuesi mund të ketë të drejtë.
Ndaj fillimisht ky dikaster del me vendimin për pezullim, derisa të merret vendimi përfundimtar ku mund t’i jepet të drejtë operatorit që ka depozituar ankesën ose autoritetit kontraktor, i cili në këtë rast lejohet të vazhdojë garën. Dhënia me koncesion e shërbimit të kolaudimit të pompave të karburanteve është kritikuar nga ekspertët, por edhe operatorët e karburanteve në treg, të cilët kanë paralajmëruar se privatizimi i këtij shërbimi do të sjellë rritje të çmimit të karburantit dhe dëmtim të konkurrencës në treg.