“Fiks Fare” solli mbrëmjen e kësaj të hëne historinë e dhimbshme të një gruaje, të dhunuar vazhdimisht nga ish-bashkëshorti, me 6 urdhra mbrojtjeje nga gjykata, e cila kërkon të shpëtojë nga dhuna djalin e saj 5-vjeçar.
Ajo akuzon ish-bashkëshortin se dhunon fëmijën e tyre, e rreh me thupër. Ajo ka kërkuar ndihmën e policisë, prokurorisë, por asnjë nuk mori masa për të shpëtuar nga dhuna djalin e saj 5-vjeçar. Prokuroria nisi hetimet 40 ditë pas denoncimit dhe më vonë nuk mori asnjë masë për shpëtimin e fëmijës nga dhuna e babait.
Nëna nga Durrësi akuzoi ish-bashkëshortin e saj në “Fiks Fare” për dhunën që ushtronte ndaj djalit të tyre 5-vjeçar. Ajo u pohoi gazetarëve se i ati e rrihte djalin me thupër dhe asnjë institucion, ku ajo kishte denoncuar dhunën, nuk e kishte njoftuar Njësinë e Mbrojtjes së Fëmijëve. Hetimi për këtë dhunë filloi vetëm 40 ditë pas denoncimit, ndërkohe që fëmija vazhdon të jetojë me babain. Dhunën e ushtruar tek 5-vjeçari e konfirmon dhe akti i ekspertizës mjekoligjore.
Përmbaruesi shtetëror është shfaqur më shumë i merakosur për ndeshjen Shqipëri-Izrael, sesa për fatin e një fëmijë të dhunuar. Ai ofendon dhe shan nënën në sy të fëmijës dhe e detyron atë të rrijë në prani të ish-bashkëshortit, ndaj të cilit ka 5 urdhra mbrojtjeje për dhunë ndaj saj.