Gazsjellësi Trans Adriatik (TAP) filloi punimet për ndërtimin e seksionit detar të gazsjellësit, me gjatësi 105 km, duke lidhur segmentin shqiptar me atë italian. Instalimi fizik i tubacionit në det të hapur është planifikuar të kryhet në 2019, sipas kalendarit të punimeve të TAP.
Për të shënuar fillimin e punimeve u organizua një ceremoni ku morën pjesë Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri, Kryebashkiaku i Fierit, Armando Subashi, si edhe drejtuesit e TAP. Pjesëmarrës ishin edhe përfaqësues nga autoritetet vendore, përfaqësitë diplomatike, partnerë të TAP dhe palë të tjera të interesuara.
Kryeministri Rama dhe Drejtori Menaxhues i TAP Schieppati vizatuan gjurmën e seksionit detar, që tashmë ka nisur të ndërtohet, duke simbolizuar kështu lidhjen e tregjeve të gazit të Shqipërisë dhe Italisë.
Kryeministri Rama dhe Ministri Gjiknuri u shprehën të kënaqur për ecurinë e ndërtimit të gazsjellësit deri më tani dhe përfitimet që TAP i ka sjellë komuniteteve vendore. Gjithashtu ata theksuan partneritetin e fortë midis TAP dhe Shqipërisë dhe rëndësinë strategjike që ka ky projekt për vendin.
Drejtori Menaxhues i TAP, Luca Schieppati, u shpreh: “Ky është një tjetër hap i rëndësishëm përpara në ndërtimin e TAP, përfundimin e punimeve dhe vënien në punë në vitin 2020. TAP është një nga projektet më strategjike dhe më të qëndrueshme që po ndërtohet në Evropë dhe do të ofrojë një burim të ri energjie për përdoruesit familjarë dhe bizneset e rajonit duke rritur alternativat për furnizim me energji. Tashmë, mbi 80% e projektit është përfunduar dhe ne jemi krenarë që punimet po kryhen në përputhje me standardet më të larta dhe praktikat më të mira të industrisë.”
Drejtori i Projektit TAP, John Haynes, shtoi: “Kjo është hera e parë që në Shqipëri po kryhen punime inxhinierike të tilla. Tubat prej çeliku do të saldohen në det, mbi anije, duke përdorur teknologjinë më të fundit. Më tej, saldimet kontrollohen dhe tubacioni ulet në shtratin e detit, në thellësi që shkon në më shumë se 810 m nën nivelin e detit. Për seksionin detar të TAP do të përdoren afërsisht 9’000 tuba me diametër 36 inç dhe që në total peshojnë rreth 100’000 tonë”.
Menaxheri i TAP për Shqipërinë, Malfor Nuri, falënderoi qeverinë shqiptare për mbështetjen e dhënë dhe tha: “Përgjatë udhëtimit tonë në Shqipëri kemi krijuar marrëdhënie të qëndrueshme me komunitetet pranë gjurmës së gazsjellësit, të cilët na kanë ofruar mikpritjen e tyre. Kemi ndërtuar me ta marrëdhënie të forta dhe afatgjata, bazuar në besimin dhe transparencën reciproke. Jemi shumë krenarë për investimet tona sociale dhe mjedisore që synojnë përmirësimin e cilësisë së jetës së këtyre komuniteteve. TAP nuk është vetëm një prej investimeve të huaja direkte më të mëdha në Shqipëri, por është edhe një projekt shumë i rëndësishëm energjetik për vendin. Me vlerë prej 1,5 miliard €, TAP është një pionier i zhvillimit të mëtejshëm të sektorit të gazit në vend.”
Shoqëria Saipem është kontraktori përgjegjës për inxhinierinë, prokurimin, ndërtimin dhe instalimin e seksionit detar të projektit. Afërsisht 10 anije do të merren me ndërtimin e seksionit detar: dy anije do përdoren për shtrimin e tubacionit dhe anije të veçanta për drenazhimin, furnizim me tuba, punimet e vogla ndërtimi, rimorkimin dhe analiza. Për shtrirjen e tubave në ujëra të thella do të përdoret një anije shtrimi gjysmë e zhytur në ujë, ndërsa për shtrirje në ujëra të cekëta do të përdoret një anije shtrimi për ujëra të cekëta.