Ekonomia gjermane ka hasur vështirësi në tremujorin e tretë, prej rënies së prodhimit të makinave, megjithatë, pritet një rimëkëmbje në tre muajt e fundit të vitit, sipas Bundesbank.
Ndërkohë që Bashkimi Europian ka miratuar rregulla të reja për ndotjen e makinave, prodhuesit gjerman të makinave kanë pasur vështirësi dhe kanë ofruar zbritje të mëdha për të zbrazur inventarët përpara se rregullat të bëheshin efektive.
Gjermania ka qenë motori i rritjes ekonomike në 5 vitet e fundit në Eurozonë dhe këto luhatje kanë rritur shqetësimet mbi ciklin ekonomik, ndërkohë që shumë vende nuk janë rimëkëmbur ende nga kriza e borxhit.
“Vrulli ekonomik në Gjermani qëndron ende. Klima e biznesit është përmirësuar dukshëm në tremujorin e tretë, kështu që pritet një rritje e qëndrueshme ekonomike në tremujorin aktual”, deklaroi Banka Qendrore.
Megjithatë, shifrat mbi rritjen e PBB në tremujorin e tretë, që pritet të publikohen në Nëntor, ka gjasa të zhgënjejnë, ndërkohë që shitjet me pakicë janë ngadalësuar, aktiviteti në ndërtim është tërhequr dhe prodhimi industrial ka rënë ndjeshëm.
Vështirësitë në industrinë e makinave kanë vazhduar deri në fund të tremujorit, sipas Bundesbank. Qeveria gjermane ka ulur së fundmi projeksionet për rritjen ekonomike, në 1.8% në vitin 2018, nga 2.3% që priste më parë, duke përmendur luftën tregtare, tregun e punës dhe sektorin e makinave.