Në mbledhjen e përbashkët të Këshillit të Legjislacionit dhe Komisionit Parlamentar të Ligjeve është zhvilluar seanca e tretë dëgjimore me përfaqësuesit e biznesit lidhur me ndryshimet kushtetuese të kërkuara nga opozita për të bërë të mundur Vetting-un e politikanëve. Ashtu si dhe dy seancat e para, edhe ajo e së premtes nisi me akuzat e Partisë Demokratike se kalimi i nismës në diskutime të pafundme me grupime të ndryshme ka qëllim zvarritjen dhe shmangien e vetting-ut të politikanëve.
Deputeti Ervin Salianji tha se kërkesa është futur në kalenda greke të pafundme pasi mazhoranca ka frikë nga Vetting-u në politikë, ndërkohë që populli kërkon me çdo kusht zbardhjen e pasurive dhe të lidhjeve të politikanëve me krimin.
Të gjithë përfaqësuesit e biznesit shprehën miratimin për domosdoshmërinë e kontrollit të pasurive e lidhjeve të politikanëve, por disa prej tyre nënvizuan se drafti është i paplotë. Ai nuk jep informacion mbi organet dhe makinzmat përmes të cilëve do të vihet në zbatim, ndërkohë që nuk mungojnë as mundësitë që të ketë abuzime.