Shqipëria ka një ndër normat më të ulëta të sipërmarrësve mbi forcën punëtore në rreth 1.8%. Të dhënat dalin në pah në një raport të fundit të Bankës Botërore mbi produktivitetin. Kjo normë e ulët e vendos vendin tonë në pozita aspak të favorshme me vendet e tjera të rajonit.
Të gjitha vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, apo edhe vende të tjera në zhvillim kanë një normë bindshëm më të lartë. Në rastin e Kosovës ajo ngjitet në 8%. Grafiku e tregon qartë se Shqipëria në këtë drejtim është krah vendeve afrikane, me një ekonomi mjaft të pazhvilluar.
Kjo normë merr më shumë domethënie po të kemi parasysh se bëhet fjalë për një indikator që ka lidhje të ngushtë edhe me Prodhimin e Brendshëm Bruto për frymë. Por, jo domosdoshmërish, PBB e lartë për frymë përkthehet në një numër më të lartë sipërmarrësish, dhe për këtë ka shumë shembuj, si Franca, Britania e Madhe, Belgjika, Holanda, Portugalia, etj.
Një tjetër indikator që lidhet ngushtë me PBB për frymë, dhe që e vendos Shqipërinë në pozita jo shumë të mira në krahasim me vendet e tjera të rajonit është edhe ai i vetëpunësimit mbi totalin e të punësuarve, normë që në vendin tonë fiksohet në 20%. Sa më e zhvilluar të jetë një ekonomi, aq më e ulët është kjo normë. Scan