Kredia për investime – Portofoli më i vogël se një vit më parë

Diel, 28 October 2018 13:12

Bizneset janë ende hezituese në ndërmarrjen e projekteve të reja të investimit. Kjo provohet si nga vrojtimet për ecurinë e kërkesës, ashtu edhe nga vetë ecuria e kredisë bankare për investime. Sipas Bankës së Shqipërisë, portofoli i kredisë për blerjen e makinerive dhe pajisjeve ishte 92 miliardë lekë, rreth katër miliardë lekë më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Në fakt, kreditimi i biznesit nuk po ecën më mirë edhe për sa i takon kredisë afatshkurtër në formë overdraftesh, ku madje rënia është edhe më e thellë.

Aktiviteti i sipërmarrjes duket ende i kontraktuar. Megjithëse në vitet e fundit investimet në ekonomi janë rritur, ato kanë qenë të lidhura sidomos me pak projekte madhore. Portofoli i kredisë bankare është në stanjacion prej vitesh dhe ka ende përmasa më të vogla se në vitin 2011. Faktori kryesor frenues është pikërisht kreditimi i biznesit.

Ndonëse shtrëngimi i ofertës prej bankave sigurisht që ka pasur një ndikim, vrojtimet nuk tregojnë ndonjë oreks shumë të madh të sipërmarrjes për kredi. Vrojtimet e bankës së Shqipërisë kanë treguar se kërkesa për kredi nga biznesi i madh, për tremujorin e dytë të këtij viti pësoi rënien më të fortë që nga viti 2013.

Login to post comments