Tregu i sigurimeve po shfaq një ecuri të plogësht gjatë këtij viti. Sipas të dhënave nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, për 9-mujorin primet e shkruara bruto u rritën me 3.6% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Aktiviteti i sigurimeve të jo-jetës regjistroi një rritje me 4.1%, ndërsa tregu i sigurimit të jetës paraqitet në rënie me 4.2% ndaj të njëjtës periudhë të një viti më parë.
Tregu i sigurimeve vazhdon të dominohet nga sigurimet e detyrueshme motorrike. Për 9-mujorin ato përbënin afro 67% të primeve totale në sigurimin e jo-jetës. Sigurimi i brendshëm për përgjegjësitë ndaj palëve të treta regjistroi një rritje me 8% gjatë këtij viti. Ky produkt ka gjetur një lloj qëndrueshmërie, pasi kompanitë kanë vendosur ta tregtojnë përmes brokerave të përbashkët, praktikisht duke fiksuar çmimet.
Kjo duhet të ishte një zgjidhje kalimtare, deri në zbatimin e sistemit bonus-malus. Por, mbajtja peng e ligjit të ri për sigurimet e detyrueshme e ka bllokuar implementimin e sistemit bonus malus, që do të mundësojë përcaktimin e primeve në bazë të historikut të dëmeve.
Ndërkohë, këtë vit kompanitë e sigurimeve po paguajnë më pak dëme. Për 9-mujorin, vlera e dëmeve të paguara ra me 8.5% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Raporti mes dëmeve dhe primeve ka rënë në 27%, nga afro 31% që kishte qenë vitin e kaluar.