Sneška Quaedvlieg-Mihailović
Drejtuesit e lartë të “Europa Nostra” vlerësojnë kontributin e Presidentes së Shoqatës për Zhvillimin e Turizmit Kulturor (ADCT), Armada Molla, e cila u nda nga jeta para pak ditësh nga një sëmundje e pashërueshme. Sekretarja e Përgjithshme e kësaj organizate paneuropiane, Sneška Quaedvlieg-Mihailović, në një letër drejtuar Bordit të ADCT shprehet:
Me hidhërim të thellë mësuam për vdekjen e papritur dhe të parakohshme të koleges dhe mikes sonë të dashur Armada Molla. Në emër të Bordit të Europa Nostra, në emër të Sekretariatit tonë Ndërkombëtar si dhe në emrin tim personal, dëshiroj t’i përcjell ngushëllimet e zemrës të gjithë ekipit të ADCT dhe në mënyrë të veçantë familjes së Armadës. Europa Nostra i detyrohet shumë Armadës për kontributin e saj të çmuar për çështjen e trashëgimisë në Shqipëri dhe në të gjithë Europën dhe i mbetet mirënjohëse për përkushtimin dhe angazhimin e fortë të saj në aktivitetet e Europa Nostra, veçanërisht në ato që lidhen me Programin e Shtatë Objekteve më të Rrezikuara. Ne do ta ruajmë me shumë dashuri kujtimin e Armadës, duke e mbajtur në kujtesë atë si një person konstruktiv, me mendësi pozitive, gjithmonë miqësore dhe jashtëzakonisht e këndshme. Armada do të na mungojë me pikëllim dhe kujtimi i saj do të ruhet si thesar nga e gjithë familja e Europa Nostra.
Lutemi mirësisht që t’i përcillni familjes së Armadës ngushëllimet e Europa Nostra bashkë me lutjen për të gjetur gjithë forcën e duhur për të përballuar hidhërimin e kësaj humbjeje të tmerrshme. Europa Nostra do ta kujtojë Armadën me shumë dashuri, mirënjohje dhe respekt.
Edhe zv.presidenti i Komitetit Shkencor të Europa Nostra, Pedro Ponce De Leon Hernandez, duke përcjellë ngushëllimet për familjen e Armadës dhe anëtarët e Shoqatës për Zhvillimin e Turizmit Kulturor, ka vlerësuar angazhimin e drejtueses së saj, veçanërisht për të sensibilizuar strukturat shtetërore dhe opinionin publik për të investuar në mbrojtjen e Amfiteatrit të Durrësit. “Ajo ishte një grua e hijshme, aktive dhe e përzemërt dhe bashkëpunoi ngushtësisht me ne për hartimin, zhvillimin dhe përfundimet e Studimit të Fizibilitetit për Amfiteatrin Roman të Durrësit, një nga objektet më emblematike ndër 7 Objektet më të rrezikuara në 2013”, shprehet Ponce në mesazhin e tij.
Europa Nostra është themeluar më 29 nëntor 1963 në Paris. Prej më shumë se gjysmë shekulli kjo organizatë ka zhvilluar një veprimtari të gjerë lobimi për të mbrojtur trashëgiminë kulturore në vende të ndryshme. Europa Nostra njihet sot si organizata kryesore përfaqësuese e trashëgimisë në Europë që gëzon mbështetjen e Komisionit Europian dhe me anëtarë nga mbi 40 vende, ku bën pjesë edhe Shqipëria. Shoqata për Zhvillimin e Turizmit Kulturor (ADCT) është anëtare e saj prej afro 7 vitesh. President i Europa Nostra-s është tenori me famë botërore, Plácido Domingo.