Stoku i borxhit publik është programuar të rritet vitin që vjen në masën e 9.2 miliardë lekëve ose rreth 70 milionë euro, duke i çuar totalin e detyrimeve publike në 1,14 triliard lekë, sipas të dhënave nga projektbuxheti i vitit 2019.
Në borxhin e ri, 7,2 miliardë lekë janë huamarrjen e brendshme dhe atë të huaj dhe 2 miliardë lekë për rritjen vjetore të garancive të qeverisjes qendrore në dobi të palëve të treta përfituese.
Ministria e Financave shpjegon se në rast të emetimit të një Eurobondi të ri, si dhe në rast të disbursimit të ndonjë kredie shtesë në formën e “mbështetjes buxhetore” nga institucionet financiare ndërkombëtare, kufiri për huamarrjen totale neto, mund të tejkalohen me vlerën totale të Eurobondit të emetuar dhe mbështetjes buxhetore të disbursuar. Ndërkohë niveli i deficitit të buxhetit të vitit 2019 do të mbetet i pandryshuar.
Qeveria mund të akumulojë dhe mund të mbajë në llogarinë e qeverisë në Bankën e Shqipërisë çdo gjendje shtesë të likuiditetit që mund të krijohet dhe mbartet për të financuar buxhetet e viteve fiskale pasardhëse, por pa kaluar kufirin prej dy muajsh të shpenzimeve buxhetore.
Ndërkohë kontingjenca për risqet e borxhit për vitin 2-19 është llogaritur në 4,3 miliardë lekë dhe do të përdoret nga ministri i Financave dhe Ekonomisë për të kompensuar rreziqe potenciale nga luhatjet në kurset e këmbimit ose normat e interesit, me ndikim në shpenzimet për interesa.
Qeveria parashikon të çoje borxhin publik në 64.9 për qind të PBB-së gjatë 2019. Gjatë këtij viti borxhi publik pritet të shënojë rënie me 1.3 pikë përqindje në raport me vitin 2017.
Ulja e peshës së titujve afatshkurtër dhe atyre me norma interesi të ndryshueshme në portofolin e borxhit të brendshëm, ka qenë faktori mbizotërues në uljen e riskut të rifinancimit dhe riskut të normave të interesit.