1 vit nga përmbytjet, Xhelal Mziu: Rama mashtroi qytetarët e Kamzës, ja çfarë i kërkuam

Tuesday, 30 October 2018 10:23

Pasnesër futemi në muajin nëntor, muaj i cili çdo vit karakterizohet si muaji i reshjeve që në mjaft zona në vend sjellin përmbytje. Në çdo stinë vjeshte Kamza preket nga përmbytjet, pavarësisht asaj çfarë Bashkia ka bërë për të mundësuar parandalimin dhe për të pasur sa më pak përmbytje, kjo brenda kapaciteteve dhe mundësive financiare që realisht ka. Edhe pse prej vitesh ka përmbytje në Kamëz, mungesa e investimeve në kolektorë sjell përmbytje të shumë familjeve. Ndonëse Bashkia Kamëz bën më të mirën e saj në pastrimin e kolektorëve, madje edhe me mjete të marra me qira, pasi qeveria as dhe një ekskavator dhe zjarrfikëse nuk ka sjellë ende, sërish përmbytjet nuk janë shmangur. Vitin e kaluar të gjithë panë me habi dhe u çuditën që në Kamëz zbriti vet ai, Kryeministri Edi Rama, dhe një takim të shkurtër në terren me kryebashkiakun e Kamzës, Xhelal Mziu, dhe në kuadër të propagandës që ai di ta bëjë mirë me mediat që i shkonin pas edhe pse natë, premtoi se do t’i ofronte ndihmë Kamzës. 

Kryetari i Bashkisë Kamëz, Xhelal Mziu, thotë se në takimin e shkurtër që pati me Ramën atë natë i kërkoi: “Dëmshpërblimin e familjeve të përmbytura në Kamëz që kanë pësuar dëme në shtëpitë e tyre, të cilat janë bërë edhe të pabanueshme, të konstatuara këto nga grupet e punës të Shtabit të Emergjencave të Bashkisë Kamëz, financim të kolektorëve; Valias i Ri, Valias i Vjetër, Zall-Herr – Bathore – Frutikulturë, pajisja me ekskavator, gjë që i ishte mohuar më parë nga ana e qeverisë si dhe pajisja e Kamzës me një stacion zjarrfikëseje, duke qenë se nuk e ka”. Sipas z. Mziu, sot një vit më pas, Rama nuk e ka mbajtur fare fjalën dhe konstatohet lehtë mashtrimi i Kryeministrit dhënë për banorët e Kamzës.
Rama nuk ka akorduar asnjë fond për atë çfarë i kërkoi kryetari i Bashkisë Kamëz, sikurse në sirtarët e ministrive flenë afro 150 projekte të shoqëruara më shkresë përcjellës që mbajnë firmën e kryebashkiakut Xhelal Mziu.
“Që në Kamëz të mos kishte përmbytje duhej që investimi në 3 kolektorët të ishte mbyllur, por për ironi Rama dhe qeveria e tij jo vetëm nuk kanë sjellë fondet për investime, por nuk ka sjellë as një ekskavator. Bashkia, sikurse vitin e kaluar, kujdeset për pastrimin e kolektorëve, me qëllim që të mos ketë përmbytje, por edhe nëse ndodh, të ketë sa më pak përmbytje!”, - thotë kryebashkiaku Xhelal Mziu.

Modifikuar më Tuesday, 30 October 2018 10:50
Login to post comments