Përfaqësues të Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit zhvilluan një takim me Kryetarin e ri të Delegacionit të BE në Shqipëri, z. Luigi Soreca më 29 tetor 2018, por, takimi është karakterizuar nga debate të forta, ka ndeshur në kundërshtinë e ambasadorit për kauzën. Ndaj, Aleanca, me anë të deklarate ka theksuar se " siguroi Ambasadorin se Teatrin do e mbrojmë deri në fund, qoftë edhe me përplasje fizike. Jemi të bindur, sot më shumë se kurrë, se problemet e Shqipërisë mund dhe duhet ti zgjidhin vetë shqiptarët. Sado dashamirës ose jo të jenë ambasadorët e huaj në vend, është e qartë se ideja që zhvillimi i vendit vjen prej tyre është një mit i rrezikshëm mbi të cilin nuk mund të mbështeten më shpresat e shqiptarëve."
Aleanca njoftoi se "Ambasadori ishte mjaft mikpritës dhe takimi u karakterizua nga një debat i fortë e mjaft etik, por, megjithë përpjekjen e vazhdueshme për një qëndrim të përbashkët, të dy palët kanë pikëpamje të ndryshme në lidhje me problemin Teatrit, por edhe të zhvillimeve politike në vend që kanë frymëzuar çështjen e Teatrit."
Nga ana jonë, i prezantuam Ambasadorit disa shqetësime kryesore si:
1. Dëshira e Kryeministrit për të shembur godinën dhe për të përdorur truallin për ndërtime private është e hershme dhe ka filluar 20 vjet më parë.
2. E hershme është edhe përpjekja e tij për të goditur artin si një nga mjetet e fjalës së lirë nëpërmjet të cilit kundërshtohen abuzimet e qeveritarëve dhe diktatorëve.
3. Versioni më i ri i “ligjit special” është po aq anti-kushtetues, dhe po ashtu në kundërshtim me parimet e konkurrencës, sa versioni origjinal sipas vetë Presidentit.
4. Qeveria po e ndërmerr këtë hap e fuqizuar nga situata ku vendi nuk ka një Gjykatë Kushtetuese funksionale, për shkak të reformës në drejtësi. Si garantët dhe mbështetësit e reformës, ne kërkuam nga institucionet ndërkombëtare të shprehen në lidhje me këtë problem, qoftë duke shtyrë vendimet për aq kohë sa gjykatat e vendit nuk janë ende funksionale.
5. Në gjykimin tonë, përfaqësues ndërkombëtarë, përfshi ata të BE-së, kanë mbajtur më parë qëndrime të drejtpërdrejta për probleme lokale. Mos-marrja e një qëndrimi në këtë rast, konsiderohet nga ne si një sjellje me standarde të dyfishta.
Ambasadori Soreca ishte mbështetës i përpjekjeve qytetare në mbrojtje të kauzave të ndryshme, por ndante qëndrim të kundërt me ne në disa pika thelbësore. Më konkretisht:
1. Reforma në drejtësi konsiderohet prej tij si një ndërmarrje e institucioneve shqiptare, të cilat duhet ta kryejnë procesin deri në fund. Delegacioni i BE do përpiqet të ndihmojë dhe të kërkojë me ngulm që procesi të përshpejtohet por nuk mund të ndërmarrë hapa përtej këtij roli.
2. Delegacioni, si dhe Komisioni Evropian, nuk pranojnë të shprehen në lidhje me problemet e brendshme kushtetuese dhe ligjore, pasi do tejkalonin rolin e tyre. Ashtu si për reformën në drejtësi në tërësi, edhe në rastin konkret Ambasadori mendon se vetëm institucionet lokale mund të japin një qëndrim të saktë.
3. Edhe kryerjen e një deklarate për të shtyrë vendime me kushtetutshmëri të dyshimtë Ambasadori e konsideron si përfshirje në çështje të brendshme.
4. Ambasadori nuk kishte një qëndrim ndaj një skenari hipotetik ku qeveria shemb godinën por më pas “ligji special” konsiderohet anti-kushtetues.
Në fund të takimit, Aleanca e siguroi Ambasadorin se Teatrin do e mbrojmë deri në fund, qoftë edhe me përplasje fizike. Jemi të bindur, sot më shumë se kurrë, se problemet e Shqipërisë mund dhe duhet ti zgjidhin vetë shqiptarët. Sado dashamirës ose jo të jenë ambasadorët e huaj në vend, është e qartë se ideja që zhvillimi i vendit vjen prej tyre është një mit i rrezikshëm mbi të cilin nuk mund të mbështeten më shpresat e shqiptarëve.