Babai i Mario Majollarit, Avni Majollari, i cili aktualisht vuan dënimin me burgim të përjetshëm për vrasje të dyfishtë, ngjarje e ndodhur në vitin 2000, mohon se ai dhe nipi i tij Endrit Majollari janë vrasësit e Ilir Gjuzit dhe Armando Nelajt.
Në vendimin e Gjykatës së Apelit ndaj Avni Majollarit, të datës 22.02.2006 të cilin tvklan.al e disponon ekskluzivisht evidentohen për herë të parë gjitha pretendimet e Avni Majollarit, për vrasjen e dyfishtë.
Në apelimin e vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, Majollari ngriti 5 pretendime se ai nuk është fajtor, si më poshtë:
1-Në gjykim janë lejuar shkelje të rënda proceduriale, pasi gjykimi është zhvilluar në mungesë e pa dijeni.
2-Nuk është realizuar mbrojtje me avokat në mënyrë të ligjshme, sepse avokati i caktuar kryesisht nuk ka bërë mbrojtje të kualifikuar.
3-Nuk është bërë asnjë hetim për të përcaktuar rolin e bashkëpunëtorëve, pasi janë xhaxha e nip dhe nuk ka bashkëpunim.
4-Nuk ka asnjë provë që të vërtetojë datën 18.11.2000 si ditë ngjarje.
5-E vetmja provë është ajo se në të dy vrasjet janë gjendur 5 gëzhoja të qitura nga e njëjta armë, por kjo nuk do të thotë se jemi ne autorë.
Avni Majollari gjatë fazës së gjykimit në apel kërkoi prishjen e vendimit dhe kthimin e çështjes për rigjykim.
Vendimi i vitit 2001, Gjykata: Përse u dënua me burgim të përjetshëm Avni Majollari
Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë me datën 25.05.2001 ka sqaruar të gjithë zanafillën e të dielës së datës 18.11.2000 ku mbetën të ekzekutuar Ilir Gjuzi dhe Armando Nelaj.
Avni Majollari me datën 18.10.2000 sëbashku me djalin e vëllait të tij, Endrit Majollari, janë nisur nga qytetit i Tiranës për në Dajt.
Në një lokal anës rrugës Tiranë-Dajt, pronë e dëshmitarit Aleksandër Prenga me emrin “Jurgen” ka qenë duke pirë në një tavolinë me shokë të tij Skënder K., Gjovalin P. (vëllai i pronari dhe viktima Ilir Gjuzi).
Në atë lokal kanë hyrë dy të pandehurit, Avni dhe Endri Majollari. Ata janë ulur në një tavolinë tjetër e pasi kanë porositur diçka për të pirë, menjëherë i pandehuri Avni i ka kërkuar viktimës Ilir Gjuzi, që dhe ai të ulej tek ata për të sqaruar disa probleme që kishin me njëri-tjetrin.
Por sapo viktima është ulur në tavolinë, i pandehuri Avni Majollari ka nxjerrë pistoletën që kishte pa leje dhe ka qëlluar mbi Ilirin, duke e lënë të vdekur në vend, kurse Endrit Majollari ka marrë pistoletën, ata kanë dalë nga lokali e janë larguar në drejtim të Tiranës.
Gjatë rrugës në fshatin Qesarakë, të pandehurit kanë dalluar makinën tip “Land Rover” me targë AN 333 BX, ku në sediljen e parë ishte i ulur shtetasi Armando Nelaj. Përsëri i pandehuri Avni, sapo janë afruar ka qëlluar me pistoletë viktimën Armando, ku dhe ky i fundit ka gjetur vdekjen.
Në momentin e kësaj vrasje kanë dëgjuar krismat dëshmitarët Vasil K. e Ervin N. të cilët kanë dalluar një benz 240 me dy persona brenda që është larguar me shpejtësi.
Këto janë dy vrasjet e ndodhura në të njëjtën ditë dt.18.11.2000 ku pas deklarimeve të shtetasëve për këto vrasje si shkak për vrasjen e Ilir Gjuzit kanë qenë ngatërresat e tij me Avni Majollari , ndërsa viktimës tjetër Armando Nelaj po acarimet midis të pandehurit Avni me viktimën për shkak të ndarjes së kushërirës së viktimës.
Fill pas ngjarjeve dy të pandehurit Avni e Endrit Majollari janë zhdukur duke iu fshehur hetimit dhe gjykimit , proçedime këto të zhvilluara në mungesë.
10 Prill 2018: Ekzekutimi i Mario Majollarit për hakmarrje
Mbrëmjen e 10 Prillit, djali i Avni Majollarit, 28-vjeçari Marjo Majollari u vra me armë zjarri pak metra nga pallati ku banonte në rrugën “Aleksandër Moisiu” në Tiranë.
Policia identifikoi si autor të vrasjes së tij Petrit Gjuzin, i cili është shpallur të në kërkim.
Shkak për vrasjen, sipas policisë, është gjakmarrja, pasi në vitin 2000 babai i të riut, vrau vëllain e Petrit Gjuzit, Ilir Gjuzin. Në këtë ngjarja mbeti i vrarë edhe Armand Nela, kushëri i ish-gruas së Avni Majollarii.
28-vjeçari kishte vetëm pak ditë që ishte kthyer nga Suedia, ku kishte kërkuar azil, për shkak se i druhej gjakmarrjes, kërkesë e cila iu ishte refuzuar./tvklan.al