Kur blini një shishe qumësht në shishet plastike të përdorura duhet të keni parasysh se bashkë me qumështin po blini edhe shumë infeksione.
Pak ditë më parë ju treguam se si nënproduktet e qumështit, i gjen të shiten në tokë në pluhur. Për të treguar se sa është niveli i infeksionit të rrezikshëm, morëm në disa nga tregjet e hapura në Durrës dhe Tiranë disa produkte për t’i analizuar.
Të gjithë konsumatorët janë në kërkim të produkteve bio, për këtë arsye shumë qytetarë i drejtohen edhe shitësve ambulant për të marrë produktet blegtorale. Disa prej tyre unë i mora në Tiranë siç janë: qumështi, gjalpi, gjiza. Por çfarë cilësie kanë këto produkte blegtorale? Për ta mësuar këtë i kemi sjellë pranë një laboratori të akredituar për t’i bërë analizën bakteriale totale.
“Për sa i përket ngarkesës bakteriale totale në ushqime rezultatet kanë dale, përkatësisht për kampionin e gjalpit me një sasi 1 milionë e 200 për gram. Kampioni tjetër i analizuar është gjiza dhe ka dalë më një sasi prej 3 milion bakteresh për gram. Dhe kampioni i tretë është qumështi, i cili ka dalë më një rezultat mjaft të lartë, aq sa dhe më një faktor hollimi ai ka dalë me një sasi 31 milion bakteresh për mililitër”, u shpreh Anisa Cano, biologe pranë Laboratorit Noval.
Por sa është norma e lejuar e baktereve në këto nënprodukte të qumështit?
“Në Shqipëri nuk ka një normativ përsa i përket qumështit dhe nënprodukteve të tij për ngarkesën bakteriale. Por duke iu referuar një norme europiane ngarkesa bakteriale totale në gram për ushqimet është përkatësisht për qumështin është 100 mijë baktere për mililitër e lejuar”, tha Anisa Cano.
Po çfarë është ngarkesa bakteriale totale?
“Ngarkesa Bakteriale totale nënkupton që t’i mund të kesh edhe baktere mjaft të rrezikshme në produktet e qumështit të cilat në një trajtim të caktuar mund edhe të mos t’i vrasësh”, sqaron Anisa Cano.
Bakteret e shumta janë pasojë e mungesës së kushteve higjieno-sanitare gjate përpunimit dhe konservimit. Nëse këtyre produkteve me baktere të rrezikshme u shtojmë edhe pluhurin, situata bëhet e alarmante.
“Pluhra toksikë që dëmtojnë rrugët e frymëmarrjes dhe të tretjes që dëmtojnë sytë dhe lëkurën dhe në pluhra kancerogjenë që shkaktojnë kancer në organe të ndryshme të organizmit”, u shpreh mjeku Ramazan Buci.
Produkte të tilla gjen në gjithë Shqipërinë. Të bindur se ushqimet e fermerëve te thjeshtë janë bio, blerësit rrezikojnë edhe jetën duke konsumuar këto produkte të cilat si në rastin e nënprodukteve të qumështit rezultojnë tepër të ndotura. Kjo nuk është një anti-reklamë për këto produkte, por një thirrje qe Autoritetet e Kontrollit të Ushqimit të garantojnë dhe kërkojnë standardet e sigurisë edhe tek prodhuesit e vegjël.