Irisi, lulja që ilirët i dhuruan tokës

E mërkurë, 21 November 2018 14:19

Të gjithë e njohin si Irisi i Ilirisë. Ilirët e lashtë e konsideronin Irisin një bimë mjekësore me vlera të shumta për një sërë problemesh shëndetësore përfshirë dhimbjet e kokës. Pjesë të kësaj bime janë përdorur në lashtësi kundër djersës dhe në përgatitjen e parfumeve.

Bima rritet deri në 40 centimetra lartësi. Lulëzon nga maji në qershor dhe ka nevojë për dritën e diellit. Kërkon një tokë me lagështi mesatare, pjellore dhe të kulluar mirë. Kjo bimë prodhon fara shumë rrallë. Zakonisht prodhon dhjetë fara që piqen në vjeshtë. Bima e egër Ilire besohet të ketë qenë pikënisja e shumë varieteteve të kultivuara të Irisit që sot zbukurojnë kopshtet dhe hapësirat tona në verë dhe pranverë. Historianë të lashtë shpjegonin që Irisi më i mirë vjen nga Iliria e lashtë. Në Mesjetë, kultivuesit e kësaj bime kaluan përtej Adriatikut dhe e rritën atë në Itali. Zona e Firences së lashtë kishte Irisin si simbol të saj – në mburojat e tyre ushtarët mbanin një Lili të bardhë ose Iris – gjë që tregon se qyteti ishte i famshëm për rritjen e këtyre luleve të ardhura nga brigjet e përtej Adriatikut.

Bima në fjalë mban emrin e perëndeshës së ylberit “Irisit” dhe si rrjedhojë lulja ka një bukuri dhe ngjyra të pashoqe. Në lashtësi, Irisi ishte një simbol i fuqisë dhe madhështisë. Tre petalet e Irisit ishin simbole të besimit, zgjuarsisë dhe trimërisë. Rrënja e thatë e Irisit ka veti anti-inflamatore dhe si rrjedhojë përdoret për të shëruar problemet me fytin dhe dhimbjet e kokës nga sinoziti.

Modifikuar më E mërkurë, 21 November 2018 14:35
Login to post comments