Vdekja e punëtorit që ra nga vinçi, arrestohet përgjegjësi, shpallet në kërkim inxhinieri

E Enjte, 22 November 2018 09:25

Një 63 vjeçar humbi jetën pasditen e djeshme teksa po punonte në uzinën e KURUM. Policia arrestoi përgjegjësin e turnit, Flamur Alterziu ndërsa u shpall në kërkim inxhinieri nga Gostivari i Maqedonisë, i identifikuar me inicialet K.H, 30 vjeç.

"Për këta rëndon vepra penale "Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë" të parashikuar nga neni 289 i Kodit Penal, për arsye se këta shtetas nuk kanë zbatuar rregullat e mbrojtjes në punë dhe për pasojë ka gjetur vdekjen shtetasi N.D., 63 vjeç, banues në fshatin Dërstilë, Elbasan", informoi sot policia e Elbasanit.

Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, për veprime të mëtejshme.

63 vjeçari ra nga lartësia e një vinçi dhe u dërgua me urgjencë në drejtim të Spitalit të Traumës në Tiranë por humbi jetën. 

Po në Elbasan është arrestuar Erald  Salla, 28 vjeç, banues në fshatin Gracen. Arrestimi i tij u bë pasi  në lagjen "Skënderbej" , Elbasan,  për motive të dobëta,  ka tentuar ti vërë flakën  ambienteve të një firme .

Materialet u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Elbasan, për veprat penale " Shkatërrimi i pronës" Shkatërrimi i pronës me zjarrë e mbetur në tentativë" parashikuar nga  nenet 150, 151, dhe  22 të Kodit Penal.

Login to post comments