Të gjithë studentët e fakulteteve të Tiranës, por edhe në rrethe, janë bashkuar për të protestuar për plotësimin e 4 kërkesave të tyre.
Të ftuar në Fax News, dy studentë të “Lëvizjes Reago” Gerard Komini dhe Lorina Halialaj, u shprehën se protesta ishte diçka spontane dhe se të gjithë u bashkuan pasi kjo është një kauzë e drejtë.
Gjatë fjalës së tij Gerardi u shpreh se studentët vetëm paguajnë për çdo gjë dhe nuk marrin asgjë mbrapsht.
“Thelbi i gjithë kësaj gjëje është, a është drejtë kjo taksë, pasi vetëm shtohen taksa. Unë personalisht nuk jam ngelës, por kjo është një kauzë. Ne paguajmë për çdo gjë dhe ne nuk marrim asgjë mbrapsht. Ne paguajmë, paguajmë, paguajmë dhe nuk marrim asgjë mbrapsht, as në laboratore, as auditore dhe asgjë. Paguajmë për vërtetim studenti. Kjo është një taksë e padrejtë për studentët, pasi tarifat janë tepër të larta. Për çdo gjë vetëm paguajnë studentët.”- u shpreh ai.
Ndërkohë Lorina Kalemaj, tregoi për mënyrën sesi u organizua protesta në rrjetet sociale dhe si të gjithë studentët u bashkuan nga të gjitha fakultetet për të protestuar për tarifën.
“Gjithshka ka nisur për një kohë shumë të shkurtër, ky vendim ishte marrë në Maj dhe nuk ishte publikuar. Unë për vete po shpresoja që kjo mos të jetë e vërtetë, filluam nëpër Instagram, Whats’app dhe nëpër rrjetet sociale të bisedonim. Ky vendim ishte i pakonsultuar me studentët, megjithëse ne prekeshim nga kjo gjë. Ishte dhe i padrejtë njëkohësisht. Kësaj kauze iu bashkuan të gjithë studentët, nga të gjitha fakultetet e Shqipërisë.
Fakti që kemi qëndruar këtu do të thotë se e Duam Shqipërinë si gjithë Europa, e duam vendin tonë. Ne po kërkojmë një të drejtë, të kemi një motiv dhe mos të kërkojmë që të largohemi. Dua një sistem më të mirë arsimor, pasi kur të dalim nga auditoret, të kemi dijen e mjaftueshme për ti shërbyer sa më mirë këtij vendi.”- u shpreh ajo.