Këtë të mërkurë ka dhënë deponimet e tij në prokurori gazetari Ylli Rakipi, i cili ishte i pari që denoncoi skandalin e Unazës së Madhe në emisionin e tij, “Të Paekspozuarit”.
I kontaktuar nga Televizioni Klan, Rakipi tha se është pyetur rreth kërcënimit dhe se kishte deklaruar gjithçka dinte. Ai u shpreh se nuk është rastësi që kërcënimet vijnë pas publikimit të aferës korruptive të tenderit me vlerë 18 milionë euro, pasi aty janë të gjitha palët politike.
Rakipi i tha Televizionit Klan se procesi hetimor për këtë rast është i ngadaltë. Gazetari pohoi se mesazhin e parë të drejtpërdrejtë të kërcënimit me jetë e ka marrë para pak ditësh, në postën elektronike të emisionit “Të Paekspozuarit”. Ai thotë gjithashtu se është përballur edhe me kërcënime verbale dhe se ka treguar gjithçka që di në polici, ku ka bërë denoncimin.
Presidenti i Republikës, Ilir Meta, u kërkoi organeve ligjzbatuese ta hetojnë me përgjegjësi maksimale rastin e kërcënimit. Partia Demokratike i mëshoi faktit se kërcënimi vjen në një kohë kur të gjithë autorët e skandalit të tenderit të Unazës së Madhe janë të identifikuar. Për kërcënimin reagoi edhe Autoriteti i Mediave Audiovizive, që e dënoi ashpër ngjarjen dhe kërkoi vënien e autorëve para përgjegjësisë.