Besimtarët katolikë dhe ortodoksë kremtojnë lindjen e Krishtit

Tuesday, 25 December 2018 09:59

Besimtarët katolikë e ortodoksë festojnë sot Krishtlindjen, ditën e lindjes së Jezu Krishtit. Pas darkës familjare, besimtarët katolikë me qirinj në duar i janë drejtuar Katedrales së “Shën Palit”, ku kanë pritur mes lutjesh mbërritjen e mesnatës që shënon 25-dhjetorin e shenjtë për ta, lindjen e Birit të Zotit. Besimtarët shkëmbyen urime për më shumë paqe, lumturi dhe harmoni.

Mesha u drejtua nga Imzot Xhorxh Frendo, i cili uroi besimtarët katolikë për më shumë paqe dashuri dhe mirësi.

 

“Me mishërimin e birit të vet zhduku errësirat e botës dhe lindjen e tij të lume e shëndërriti këtë natë.Ai zhduktë prej jush errësisrat e veseve dhe ndriçoftë zemrat tuaja me dritën e virtyteve.Hyji ju mbushtë dhe ju me gëzimin e vet dhe ju bëftë lajmëtarë të ungjillit të vet.Ju pajistë me dhuratën e paqes së vet dhe të vullnetit të mirë.Gëzuar Krishtlindjet!,” u shpreh ai.

Në Katedralen “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë po zhvillohet mesha për besimtarët, dhe po drejtohet nga kryepeshkopi Anastas Janullatos.

HISTORIA E KRISHTLINDJEVE
Ashtu sikurse shumë elementë të tjerë mitologjikë, të pranuar për të stolisur e pasuruar Krishtërimin bashkëkohor, ndër të cilët arkeologët, historianët dhe teologët përmendin veçanërisht mitet mitraiste, zoroastriane, egjiptiane dhe babilonase, edhe festimet e Krishtlindjeve i kanë rrënjët, siç sqaron “The World Book Encyclopedia”, në festimet e lashta të festës së Saturnit, apo “Saturnaleve”, nga ana e romakëve parakristianë.

Festime të ngjashme vihen re tek Mitraizmi, i cili i ka fillimet e veta qysh në shekullin VI p.e.s. në Persi dhe Indi. Uilliam Edelen, në artikullin e tij “Christian Mythology”, vëren se Mitra, gjithashtu, kishte lindur nga një virgjëreshë, në prani të barinjve. Shpëtimtari i madh dhe perëndia Mitra, i adhuruar në Indi dhe në Persi, njihej me cilësime si “rruga”, “e vërteta”, “jeta”, “drita”, “fjala”, “biri i Zotit” dhe “Bariu i Mirë”. Ai përfytyrohej dhe paraqitej në arte vizuale me një qengj në krahë, ndërsa në besimin mitraist, njëlloj si në Krishtërimin bashkëkohor, dita e diel quhej “dita e Zotit”. Tek Mitraizmi, dita e 25 dhjetorit, e cila më vonë do t’i bashkangjitej traditës së Krishtlindjeve, përjetohej me festime madhështore, me këmbana, hymne, qirinj e shkëmbim dhuratash, ndërsa ndjekësit e këtij besimi merrnin pjesë në një meshë të posaçme.

Nga 25 dhjetori deri në ekuinoksin e pranverës (Estra apo Pashka), ekzistonte një 40 ditësh adhurimi e ritualesh që më vonë do të shndërrohej në kreshmën e krishterë. Edhe në Indinë e kohëve të lashta, 25 dhjetori pritej me festime të mëdha me karakter fetar. Shtëpitë zbukuroheshin me kurora lulesh e gjethesh, ndërsa njerëzit shkëmbenin dhurata e urime të shumta me njëri-tjetrin. Buda (Buddha) në Kinën e lashtë besohej të kishte lindur më 25 dhjetor, pas zbritjes së shpirtit të shenjtë mbi nënën e tij të virgjër, Maja. Më 25 dhjetor, egjiptianët e lashtë festonin lindjen e shpëtimtarit të tyre të madh, Horusit, zoti i dritës dhe biri i nënës virgjëreshë Isis, mbretëreshë e qiejve. Osirisi, perëndia i të vdekurve dhe i botës së nëndheshme në Egjiptin e lashtë, biri i një virgjëreshe të shenjtë, besohej të kishte lindur më 25 dhjetor.

Shumë kohë përpara konvertimit në Krishtërimin ortodoks, grekërit festonin 25 dhjetorin si ditën e lindjes së Herkulit, biri i zotit suprem të grekërve, Zeusit, të lindur përmes gruas së vdekshme, Alcmena. Bakusi romak, i njohur nga grekërit me emrin “Dionisi”, perëndi i verës dhe muzikës, besohej të kishte lindur, gjithashtu, më 25 dhjetor. Adonisi, një tjetër perëndi i ringjallur nga vdekja dhe i adhuruar nga grekërit e lashtë, kishte lindur mrekullisht më 25 dhjetor. Adhuruesit e tij organizonin çdo vit festime madhështore, ku përkujtonin plot simbolika e rituale vdekjen dhe ringjalljen e tij. Ceremonitë e lindjes së Adonisit, sipas të dhënave historike dhe arkeologjike, janë zhvilluar në të njëjtin vend dhe në të njëjtën shpellë ku sot besohet të ketë lindur Jezusi biblik. Edhe skandinavët parakristianë festonin “Krishtlindjen” e tyre më 25 dhjetor. Për ta kjo ditë shënonte ditën e lindjes së zotit të tyre të qiejve, Frejrit (Freyr), biri i perëndisë së lartë të qiejve, Odinit.

Login to post comments