Sheqeri festiv, djalli me vare dhe babai i Saimir Tahirit si Mesia

E Enjte, 03 Janar 2019 14:55

Nga Ervin Qafmolla

Nga një përvojë që pata me një të afërm këto ditë, vendi më i afërt me QSUT për matje të saktë të sheqerit në gjak është farmacia e babit të Saimir Tahirit. Në industrinë mjekësore publike që shtrihet në dhjetëra hektarë aty përbri, ose nuk ka mundësi për matjen e diabetit ose nxjerrin rezultate të pasakta. Ndërkohë që sheqeri i të afërmit matej me saktësi, miresjellje dhe përkundër shumës modeste prej 100 lekësh te farmacia private, dëgjoja një zë që më pëshpëriste në vesh "vare, vare", me theks te e-ja.
"Ka kuptim - vijonte shpjegimi shpërfillës ndaj llahtarit tim si dëgjues - armët e zjarrit gjenden me vështirësi dhe kanë ndërlikime, fjala që bie mund të qëllosh ndonjë pacient gabimisht". E vërtetë, gjithashtu, që plumbi është jopersonal, pothuajse teknik dhe joemocional. Është tjetër performancë me një çekiç të madh sepse duhet mund e punë, dhe efekti është më dramatik. Copa skalpi që do varen nga kafka e mbi bluzën e bardhë të mjekut fatkeq që i ka rënë të punojë atë turn. "Sapo dëgjon fjalën 'Nuk' menjëherë varenë ballit: Nuk punon... Bam; Nuk kemi mu... Bam; 'Nuk është do... Bam; 'Nuk e di... Bam; Nuk... bam, bam, bam, bam... derisa të realizohet një paçe përfaqësuese". Do dalin pastaj ata mafiozët e vërtetë, xhepashqyer nga tenderat, fytyrë-zbehtë si Nosferatu, me duart plot gjak metaforik dhe flegrat me kokainë, dhe do qajnë për mjekët e ndershëm dhe fatkeqë në këtë vend ku problemi janë kurdoherë qytetarët dhe shenjtorë xhepistët me përparëse të bardha.
Ndërsa rrekesha ta largoja shejtanin që pëshpëriste, mendoja për doktorët heronj që shpëtojnë jetë mes asaj gangrene. Mendoja për ata që i njoh personalisht, për ata që më janë gjendur pranë në çaste të vështira. "Por jooo! E ke gabim", vijoi i paudhi. "Drejtësia duhet të fillojë nga mjeku më i mirë dhe më i ndershëm, sepse ekzistenca e tyre është i vetmi justifikim për të mos spastruar me plumb të shkrirë mëkatet e krejt sistemit. Janë ata të 'ndershmit' që mbajnë kokën ulur dhe gojën mbyllur, të cilët duhen purifikuar të parët si ari në furrnaltë".
"Kjo është e njëjta mendësi që justifikon çdo lloj terrori; edhe ISIS-i përdor të njëjtat modele logjike", ia ktheva me hakërrim dhe duke më ardhur turp që po dialogoja me një zë në kokën time. "E vërtetë, e vërtetë", u përgjigj i paudhi i bezdisur. "Hap televizorin pra dhe dëgjo me ekzaltim historitë me Ringjallje e Rilindje, fillo besoju dhe këndoju këngën më të bukur që di. Ky është momenti kur ti duhet të zgjedhësh mes dy halucinacionesh: mes thirrjes sime ose propagandës së Tyre".
Fatmirësisht, kam rastisur njeri që nuk më pëlqejnë zgjedhjet me vetëm dy alternativa, sidomos kur janë të kundërta. Ndaj, mes çmendurisë spitalore të fundvitit zgjodha një të vërtetë esëll: Farmacitë e babit të Saimir Tahirit ta masin sheqerin saktësisht dhe përkundër një shume modeste, ndërkohë që shumë farmaci të tjera përtojnë, ndërsa shëndetësia publike nuk ia qëllon kurrë. Kjo pra është e vërteta praktike që na shpëton edhe nga shprishja djallëzore e estetikës festive mes vrasjes së mjekëve me vare, por edhe nga ekzorcizmi televangjelist i lumturisë qeveritare.
"Faleminderit babi i Saimirit dhe të shkuara djalit!

Login to post comments