Deputeti i Partisë Demokratike, Edi Paloka iu përgjigj sot edhe ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj, i cili deklaroi se policia ka skeduar grupet kriminale dhe do t’i godasë shumë shpejt.
Paloka shtron katër pyetje dhe përmend disa emra të njohur, lidhjet e të cilëve siç thotë, me trafikantët e drogës duhet të hetohen. Sipas demokratit, minsitri duhet ta nisë hetimin nga vëllai i tij.
“Është gjë e mirë që, pas 5 vjetësh në pushtet, qeveria thotë se ka skeduar grupet kriminale dhe do t’i godasë, por ky është një film i parë 5 vjet më pare. Atëherë u premtua se brenda 300 ditëve do të vendosej rendi dhe siguria dhe krimit do të shtypej, por ajo që ndodhi ishte kanabizimi I vendit dhe një Ministër i Brendshëm në krye të trafikut të drogës, që sot duhet të ishte në burg.
Sot, Fatmir Xhafaj duhet të japë përgjigje:
A e ka skeduar të vëllain Agron Xhafaj, të dënuar në Itali per trafik ndërkombëtar kokaine dhe aktualisht është një nga kokat e trafikut të drogës në Vloreë?
A e ka skeduar grupin e Arbër Çekaj, të drogës kolumbiane, ku bën pjesë edhe Olsi Rama, vëllai i kryeministrit?
A e ka regjistruar grupin e Qazim Sejdinit dhe dhëndrit të tij në Elbasan, ku përfshihet edhe kompania e gruas së Sejdinit, që është nën hetim për trafik droge?
A e ka rregjistruar grupin e Lulzim Berishës dhe Emiljano Shullazit?
Nëse vërtet do që të luftojë krimin e organizuar dhe lidhjet me qeverinë e Ramës, përgjigjet për këto pyetje Fatmir Xhafaj duhet t’i bëjë publike dhe t’i kërkojë ndihmë çdo qytetari që ta ndihmojë”,- shprehet demokrati.