Normat e interesit të kredive për biznesin kanë shënuar ulje gjatë 3-mujorit të fundit të vitit 2018. Bëhet fjalë për interesat e kredive me maturim afatgjatë, ndërsa kreditë me maturim afatshkurtër shënuan rritje.
Për qytetarët, ulje të interesave pati te kreditë hipotekare, kurse te kredia për konsum interesat shënuan rritje. Të dhënat për ecurinë e interesave të kredive jepen në raportin e Bankës së Shqipërisë, për politikën monetare për 3-mujorin e fundit të vitit 2018. “Normat e interesit të kredisë në lekë qëndrojnë në nivele të ulëta.
Interesi mesatar prej 6,5 për qind për kredinë e re në lekë, në muajt tetor-nëntor, rezultoi pranë vlerave mesatare të tremujorit të tretë 6,8 për qind. Interesat e kredisë janë rritur te maturiteti afatmesëm, ndërsa tek ai afatshkurtër dhe afatgjatë kanë shënuar zbritje të lehtë. Gjithsesi, krahasuar me gjysmën e parë të këtij viti, interesat e kredisë janë lehtësisht më poshtë. Analiza, sipas klientit, evidenton se interesat e kredisë në lekë janë ulur më shumë për bizneset, ndërsa për individët ulja ka qenë marxhinale”, thuhet në raport.
Banka e Shqipërisë thotë se interesat e kredisë ndaj bizneseve janë ulur si për nevoja likuiditeti ashtu edhe për investime. Te kreditë për qytetarët, Banka e Shqipërisë konstaton se interesat janë ulur veçanërisht për kreditë hipotekare, ndërkohë që interesat për financimin e kredisë konsumatore kanë treguar ecuri të luhatshme.
“Diferenca e interesit mesatar të kredisë në lekë ndaj atij në euro është rritur lehtas këto dy muaj, kryesisht si rezultat i tkurrjes më të madhe të interesit të kredisë në euro sesa ajo në monedhën vendase. Diferencat e interesave të kredisë midis dy monedhave, sipas klientit, tregojnë rritjen e tyre për bizneset dhe tkurrjen për individët, veçanërisht te kredia hipotekare”, thuhet në raportin e politikës monetare.
TE DHENAT PER KREDITIMIN DHE EKONOMINË
12,7 për qind ishte niveli i kredive me probleme deri në muajin nëntor të vitit 2018, duke shënuar nivelin më të ulët
4,5 për qind deri në 4,9 për qind u rrit kredia për sektorin privat gjatë tremujorit të tretë dhe dy muajve të parë të tremujorit të katërt, si rezultat i normave të ulëta
të interesit që kanë mbështetur zgjerimin e kreditimit, por edhe si rezultat i efektit të kursit dhe nxjerrja e kredive jashtë bilancit
6,5 për qind ishte interesi mesatar për kredinë e re në lekë, në muajt tetor-nëntor, duke rezultuar pranë vlerave mesatare të tremujorit të tretë 6,8 për qind. Sipas Bankës së Shqipërisë, normat e interesit të kredisë në lekë qëndrojnë në nivele të ulëta.
4,3 për qind u rrit Prodhimi i Brendshëm Bruto në terma vjetorë në tremujorin e dytë të vitit, nga 4.5 për qind në tremujorin e parë, sipas të dhënave të Institutit të Statistikave
2,1 për qind parashikohet nga Banka e Shqipërisë të luhatet inflacioni mesatar vjetor për 2018-n dhe do të kthehet në objektiv brenda vitit 2020
12.2 për qind arriti shkalla e papunësisë, sipas raportit të Bankës së Shqipërisë në tremujorin e tretë, i cili rezultoi më poshtë nivelit të shënuar krahasuar si me
tremujorin e mëparshëm (me 0,2 për qind), ashtu edhe me një vit më parë (me 1,4 për qind). Këto zhvillime vlerësohet të kenë kontribuuar në përdorimin në shkallë më të lartë të faktorit punë