Zbardhet mbledhja e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. Ja vendimet e marra

Tuesday, 15 Janar 2019 17:33

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi (KED), zhvilloi ditën e sotme mbledhjen e parë të tij me të ftuar anëtarë, anëtarë zëvendësues, subjekteve që ftohen sipas ligjit dhe si të ftuar për këtë rast, edhe përfaqësuesit e EURALIUS dhe OPDAT.

KED ka shpërndarë një njoftim për mediet, ku ka pasqyruar se çfarë vendimesh janë marrë në këtë mbledhje.

Njoftimi i plotë:

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi (I Përkohshëm) 2019(KED), me praninë e të gjithë anëtarëve, anëtarëve zëvendësues, subjekteve që ftohen sipas ligjit dhe si të ftuar për këtë rast, edhe të përfaqësuesve të EURALIUS dhe OPDAT, zhvilloi mbledhjen e tij të parë, ditën e sotme, 15.01.2016, në ambientet e e Gjykatës së Lartë, e cila, sipas nenit 219 të ligjit nr. 115/2016, është edhe selia e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.

KED, me përbërjen e tij të re, të zgjedhur me short nga Kuvendi, për të ushtruar komptencat dhe detyrime kushtetuese dhe ligjore për vitin 2019, me përgjegjshmëri institucionale, profesionale dhe qytetare, diskutoi për të gjitha cështjet e paracaktuara për shqyrtim në Rendin e Ditës.

KED vlerësoi se me konstituimin e tij, menjëherë duhet të angazhohet për të përmbushur të gjitha kompetencat dhe detyrimet që i ngarkon Kushtetuta dhe ligji, të cilat janë unike dhe të pazëvendësueshme lidhur me verifikimin, vlerësimin dhe renditjen e kandidatëve për pozicionet vaktante tashmë të krijuara për gjyqtarë në Gjykatën Kushtetuese dhe Inspektor të Lartë të Drejtësisë, në mënyrë që organet e tjera kushtetuese të emërimit apo zgjedhjes të kenë mundesinë për të ushtruar kompetencat e tyre.

Akoma më tej, KED vlerësoi se angazhimi i menjëhershëm për të përmbushur këto detyrime kushtetuese dhe ligjore, përbën domosdoshmëri që të realizohen në afatet më të shpejta dhe të arsyeshme, në kushtet kur Shqipëria nuk e ka funksionale Gjykatën e saj Kushtetuese dhe ende nuk ka të zgjedhur Inspektorin e Lartë të Drejtësisë, e për rrjedhojë edhe institucionin e këtij Inspektorati.

Për këto arsye, duke respektuar kërkesat e ligjit, KED angazhohet që menjëherë të punojë për hartimin e Rregullores së Brendshme të Organizimit dhe Funksionimitn të KED dhe ta miratojë atë në mbledhjen e ardhshme të Këshillit. Miratimi i kësaj Rregulloreje përbën dhe hapin e nevojshëm ligjor për të vijuar, menjëherë, me përgatitjen në një afat të shkurtër të akteve nenligjore të përcaktuara nga ligji lidhur me shortimin e relatorëve, verifikimin dhe vlerësimin e kandidaturave, miratimi i të cilave mundëson kushtet për të filluar efektivisht shqyrtim konkret të kandidaturave të paraqitura për pozicionet vakante në Gjykatën Kushtetuese dhe për Inspektor të Lartë të Drejtësisë.

Gjithashtu, KED shqyrtoi dhe vlerësoi ngarkesën e pazakontë të punës dhe të angazhimeve që kerkohet për verifikimin dhe vlerësimin e kandidaturave për plotësimin e vendeve vakante në këto organe kushtetuese. Deri më tani, për të gjitha pozicionet vakante, janë kandiduar 40 magjistratë dhe jomagjistratë, të cilët, njëkohësisht, sipas rastit, duhen verifikuar dhe/ose vlerësuar nga KED.

Paraprakisht duke vlerësuar mbështetjen e deritanishme të Gjykatës së Lartë, me të gjitha burimet dhe mundësitë e saj, për shkak të kësaj ngarkese të pazakontë, krahas shprehjes së vullnetit unanim për të punuar, sipas ligjit dhe sa më shpejt, me të gjitha kapacitetet e tij, KED vlerësoi se është e domosdoshme të shtohet personeli administrativ i Gjykatës së Lartë në dispozicion të veprimtarive të këtij Këshilli.

Po kështu, KED vlerësoi ti drejtohet KLGJ-së dhe KLP-së duke i kërkuar që, bazuar në komptencat që i cakton ligji, të mundësojë edhe lehtësimin apo heqjen e ngarkesës së punës gjyqësore dhe prokuroriale të anëtarëve të KED, në mënyrë që ata ti kushtohen maksimalisht ngarkesës së punës për realizimin e procedurave komplekse të verifikimin dhe vlerësimit të kandidatuarave për gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese dhe për Inspektor të Lartë të Drejtësisë.

KED shprehu vlerësimin më të lartë për angazhimet e deritanishme të institucioneve ndërkombëtare që mbështesin Reformën në Drejtësi dhe proceset aktuale për zbatimit e saj, përfshirë edhe atë për organizimin dhe funksionimin efektiv dhe sa më të shpejtë të KED.

Njëkohësisht, KED e konsideron të domosdoshëm dhe të pazëvendësueshëm vijimin edhe më intensiv të bashkëpunimitm dhe të mbështetjes së institucioneve ndërkombëtare, veçanërisht të EURALIUS dhe të OPDAT, me konsulencë profesionale dhe me të gjitha mënyrat e tjera që janë të dobishme për mirëorganizimin dhe funksionimin efektiv, në respekt të Kushtetutës dhe të Ligjit, të KED përgjatë vitit 2019.

KED vendosi që mbledhjen e ardhshme të tij, ta zhvillojë ditën e hënë, datat 21.01.2019, në oren 15.00

Login to post comments