Zyrtare/ Anëtari i KLP Bujar Sheshi, ka qenë spiun i Sigurimit që 17 vjeç

Hënë, 28 Janar 2019 16:05

Pak orë më parë, zyra e kryeprokurores në detyrë Arta Marku ka deklaruar, se do të hapë një hetim për anëtarin e KLP Bujar Sheshi për falsifikim të formularëve të deklarimit, por edhe për Autoritetin e Dosjeve për vonesën e përgjigjes; nëse ky i fundit ka qenë ndonjëherë bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit.

Vetëm një orë pasi këtij prononcimi të Prokurorisë së Përgjithshme, Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit ka dalë me një deklaratë të gjatë që konfirmon, se Bujar Sheshi ka qenë bashkëpunëtor që në moshën 18-vjeçare dhe jep edhe arsyet se përse u vonua për dhënien e këtij fakti organit qendror të akuzës.

Sipas ‘Autoritetit’ i cili tashmë është nën hetim për vonesën 3 mujore, kjo ka ndodhur pasi ata kanë burime të pakta njerëzore, nuk ka sistem të automatizuar kërkimi dhe se kanë qenë të detyruar që të bëjnë riverifikim të Sheshit në Drejtorinë e Gjendjes Civile, meqenëse ka pasur mospërputhje gjeneralitetesh dhe se ka nisur hetim të thelluar administrative në arkivë.

‘Për rastin në fjalë, nga administrimi i dokumentacionit që disponojmë dhe nga verifikimet e kryera në fondet arkivore të cilat përmbajnë dokumente të ish-Sigurimit të Shtetit, të cilat ruhen në godina të ndryshme, shumë larg nga zyrat aktuale të AIDSSH, u ndeshëm me ekzistencën e dokumenteve kontradiktore për sa i takon të dhënave për shtetasin Bujar Sheshi, si dhe me faktin e njohjes me dokumentin e tërheqjes në bashkëpunim të shtetasit Bujar Sheshi në moshë të mitur (nën 18 vjeç). Në këtë kontekst, u zhvillua dhe procesi i riverifikimit, përmes Drejtorisë së Gjendjes Civile, të gjeneraliteteve të shtetasit Bujar Sheshi (kontradiktore me të dhënat e shënuara në Formularin e Aplikimit nga vetë z. Sheshi).

Sa më sipër, në referencë të nenit 4, ‘Parimet’ të ligjit 45/2015, në mbrojtje të parimeve të përcaktuara në këtë dispozitë ligjore, por dhe parimit universal për mbrojtjen themelore të të drejtave të njeriut, u vlerësua të kryhet kërkim i thelluar nga administrata, në fondet arkivore të disponueshme nga Autoriteti, për dokumentimin e aktivitetit përmes kërkimit në dosje dhe në procesverbale të asgjësimit dhe në listat e veçimit, duke i qëndruar parimit të ligjshmërisë dhe transparencës në informacionin që duhej t’i jepnim Prokurorisë së Përgjithshme.

Bëjmë me dije se ky kërkim i thelluar në fondet arkivore mori kohën e vet, sepse kërkimi është realizuar pothuajse në mënyrë manuale. Autoriteti po vazhdon procesin e përpunimit të plotë të dokumenteve dhe po punon për mundësinë e automatizimit të mjeteve të kërkimit. Po ashtu, plotësimi me burimet njerëzore sipas strukturës dhe organikës të miratuar nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë dhe përmirësimi i infrastrukturës së ruajtjes do të ndikojë drejtpërsëdrejti në trajtimin e kërkesave në kohë sa më të shkurtër. Të gjitha këto problematika ndikuan në tërësinë e vet në vonesën e mbylljes së procedurës së shqyrtimit të kërkesës së paraqitur nga Prokuroria e Përgjithshme’, shkruhet në këtë sqarim.

sheshi.png

 

Modifikuar më Hënë, 28 Janar 2019 16:08
Login to post comments