Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme, Arben Kraja, i ka propozuar Këshillit të Lartë të Prokurorisë dy emra konkret prokurorësh për t’u emëruar në Strukturën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Burime bëjnë me dije për Faxëeb.al se Kraja ka propozuar emrin e drejtueses së Prokurorisë së Beratit, Eloida Goxhi, e cila ka kaluar me sukses në shkallët e vetting-ut, dhe drejtuesin e Prokurorisë së Pogradecit, Sotir Kllapi, i cili po ashtu ka kaluar vetting-un pa asnjë problematikë.
Në mbledhjen e ditës së sotme të KLP-së pritet të shqyrtohet kërkesa e Krajës, i cili e ka bazuar shtimin e SPAK me dy prokurorë të tjerë për shkak të numrit të lartë të çështjeve të SPAK.
Pak kohë më parë, Kraja propozoi që ti bashkohen SPAK-ut dhe dy prokurorët Vladimir Mara dhe Dritan Prençi, të cilët morën mandatin pas votimit në KLP, duke e çuar në 10 numrin e anëtarëve të Prokurorisë së Posatshme.
Ndërkohë që 8 prokurorët e parë që u betuan për në SPAK janë: Elida Kaçkini, Enkeleda Millonaj, Edvin Kondili, Behar Dibra, Arben Kraja, Klodian Braho, Ened Nakuçi dhe Altin Dumani.
Për ta bërë tërësisht funksionale SPAK-un do të duhet të jenë 15 anëtarë, në mënyrë që dhe ritmi me të cilën do të hetohen dosjet të jetë më i shpejtë.
Në mbledhjen e sotme të KLP, pritet të ndryshoj rregulli për antarët e SPAK, për t’u bërë pjesë vetëm nëse kanë kaluar në vetting, në dallim nga gara ku ishte punuar fillimisht si në rastin e pikëzimit të 15 kandidatëve.