Zbardhen përgjimet, si vlonjati drejtonte nga burgu trafikun e drogës

E mërkurë, 13 February 2019 10:10

Policia italiane në bashkëpunim me palën shqiptare kanë goditur katër grupe kriminale të trafikut të drogës në të dyja anët e Adriatikut duke lëshuar 27 urdhër arreste, 21 për shqiptarë dhe 6 për italianë.

Deri tani janë prangosur 20 persona, ndërsa në kërkim janë 7 të tjerë.Gjashtë shqiptarë u arrestuan në Vlorë, gjashtë në Itali, një është në burg në Shqipëri (i kapur në 2017) dhe tjetri në Malin e Zi, ndërsa shtatë janë në kërkim duke e dërguar numrin në 21.

“Shqiptarja.com” mëson se një ndër krerët e grupit kriminal me bazë në Vlorë dhe që trafikonte drogë në drejtim të Italisë ishte Fatmir Xhelili. 

Në vendimin e Gjykatës së Leçes, thuhet se Xhelili është përgjegjës për të paktën katër episode të trafikun të drogës, ku në total përllogaritet sasia prej 2.8 ton. Anëtarët e këtij grupi kriminal flisnin në mënyrë të koduar ku drogën e qunin me emrin “Goma Michelin”.

Në rast se ata kërkonin drogë, e thoshin troç në telefona “…dua të blej goma për furgonin, nga ato Michelin…”, dhe më pas vijon me përcaktimin e pazarit të drogës, ku vetëm në një rast një sasi prej 15 kg lëndë narkotike është shitur me çmimin 22 mijë euro. Por linjat e koduara të komunikimit të trafikantëve ishin zbërthyer nga skuadrat e hetimit të prokurorisë së Leçes, të cilat kishin rënë në gjurmë të trafikut të drogës, që këta njerës bënin nga Shqipëria në Itali.

Por ndryshe nga grupet e tjera të arrestuara, ky grup me qëndër në Vlorë, dhe që drejtohet nga Fatmir Xhelili, ka vijuar aktivitetin e trafikut të drogës, edhe pasi në burg ka rënë organizatori Fatmir Xhelili.Ky i fundit ka mobilizuar vëllain Erion Xhelili dhe gruan e tij Isida Xhelili, duke i dhënë detyra nga burgu, se si duhet të vepronin për trafikun e drogës.  

Login to post comments