Në Shqipëri “zhduken” plazhet publike

E mërkurë, 13 February 2019 10:17

Bregdeti në Shqipëri mbetet i parregulluar nga një ligj i veçantë sikurse aplikohet në shumë vende që kanë prioritet turizmin.

Një auditim performance i Kontrollit të Lartë të Shtetit vlerëson se Plani Kombëtar për Menaxhimin e Integruar të Bregdetit shpjegon teorikisht situatën por nuk jep asnjë zgjidhje për menaxhimin e tij në vijim. 

Nga ana tjetër një ndër problemet e hasura gjatë auditimit është mënyra sesi menaxhohen plazhet në vend, me mungesë aksesi të lirë në plazhe publike.

 

“Shqipëria është i vetmi vend në rajon dhe në Mesdhe që nuk ka një ligj për bregdetin, e për pasojë turizmi nga plazhet është jo konkurrues e nën potencialin e zhvillimit të vet, duke mbetur jashtë tregut turistik europian. Aktet rregullatore nuk garantojnë të drejtën e qytetarëve për akses të lirë në plazhe, duke inkurajuar masivizimin e stacioneve private të plazhit që rezulton të jetë burim informalizimi për të ardhurat vendore” thuhet në raportin e KLSH.

Po kështu nënvizohet se nga plazhi në plazh, e nga stacioni në stacion, pushuesi apo turisti i huaj ndeshet me një aktivitet privat, jo me një aktivitet turistik. “Pra, në këtë rast kemi të bëjmë me një kufizim jo vetëm si përqindje prej 80%, por që shoqërohet edhe me kufizime të tjera, për shkak se liria për të frekuentuar një plazh publik, që prezumohet se i akordohet privatit për të ofruar shërbime më të mira ndaj pushuesit, përbën në vetvete një sërë kufizimesh nga mos plotësimi i kritereve ligjore nga stacionet e plazhit”

I njëjti nënvizon se Shqipëria është i vetmi vend në Europë që nuk ka marrë certifikimet e nevojshme “blue flag”  (flamur blu, certifikim që lidhet me pastërtinë dhe sigurinë) për plazhet e saj. Në këtë kontekst KLSH nënvizon se akoma vrojtuesit e plazheve nuk njihen si profesion në vend duke sjellë për pasojë mosgarantimin e mbrojtjes së jetës së pushuesve.

Një tjetër ngërç që nënvizohet nga Kontrolli i Lartë i Shtetit është ajo për menaxhimin që sipas kuadrit ligjor I takon vendorëve por që herë për shkak të pamundësisë dhe herë indiferencës nuk garanton standardet që duhen të kenë.

“Struktura aktuale e menaxhimit ka nevojë për reformim, për shkak se vërehet jo vetëm mungesë eficience, por nuk përbën premisë për një menaxhim të qëndrueshëm të plazheve orientuar kah turizmit. Bashkitë përballen me shumë probleme si kapacitete financiare dhe njerëzore të pamjaftueshme. Për pasojë, bashkitë nuk arrijnë të realizojnë një menaxhim të plazheve në funksion të turizmit, por e administrojnë si aset vendor. Konstatohet decentralizim i asetit kryesor turistik, ndërsa në anën tjetër institucionet e specializuara turistike në nivel qendror, nuk kanë kompetenca menaxhuese mbi plazhin si burim turistik” thuhet në raport./monitor

Login to post comments