Komisioneri: Transparenca problem tek lejet e ndërtimit, koncesionet dhe arbitrazhet

Premte, 22 February 2019 14:28

Hermetizimi i institucioneve publike duket se lidhet ngushtë me disa nga çështjet që janë bërë shpesh edhe pjesë e debateve apo skandaleve. Të dhënat e fundit që vijnë nga raporti vjetor i Zyrës së Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale tregojnë se janë të paktën tre fusha kryesore ku është vënë re një sjellje me mungesë të theksuar transparence karshi kërkesave të qytetarëve apo shoqërisë civile. E para duket se lidhet me lejet e ndërtimit ku insitucionet përkatëse gjejnë “strehë” tek legjislacioni për të drejtat e autorit.

“Konkretisht është evidentuar se disa autoritete publike, dhe në mënyrë specifike ato të angazhuara në fushën e zhvillimit të territorit apo trashëgimisë kulturore i referohen vazhdimisht legjislacionit për të drejtën e autorit, si arsye për mosvënien në dispozicion të dokumentacionit lidhur me lejet e ndërtimit apo zhvillimit, i cili në kuptim të ligjit nr.119/2014 ‘Për të drejtën e informimit” përbën informacion publik. Pavarësisht arsyetimit ligjor të dhënë nga ana e Zyrës së Komisionerit mbi pabazueshmërinë e këtij qëndrimi, referuar edhe ligjit nr.35/2016 ‘Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to’, qasja e autoriteteve publike në më të shumtën e rasteve ka vijuar të mbetet e njëjtë”thuhet në raport.

Një tjetër sektor problematik është ai i energjisë i lidhur me kontratat koncesionare. Sipas raportit të Komisionerit,  Autoritetet publike të angazhuara në këtë sektor në mënyrë të përsëritur referojnë në parimin e konfidencialitetit, si arsye për mosvënien në dispozicion të informacionit të kërkuar, objekt i të cilit kanë qenë sipas rastit kopjet e kontratave koncesionare, oponencat teknike, studimet e fizibilitetit, lejet mjedisore apo dokumente të tjera që kanë bëjnë me këto kontrata.

Komisioneri ka marrë një numër të konsiderueshëm vendimesh, ku qëndrimin e tij e ka shoqëruar me argumentin ligjor mbi publikimin e kësaj kategorie informacioni, qoftë në bazë të parimeve të ligjit nr.119/2014 ‘Për të drejtën e informimit’, qoftë në bazë të legjislacionit specifik në fushën e koncesioneve dhe partneriteteve publike private, megjithatë ky sektor vijon të mbetet problematik” thuhet në dokument.

Arbitrazhet janë një tjetër tematikë që nuk ka gjetur bashkëpunimin e autoriteteve publike në kuadër të transparencës. Në raport thuhet se pranë Zyrës së Komisionerit janë depozituar ankesa mbi refuzimin e dhënies së informacionit lidhur me proceset e arbitrazhit ndërkombëtar me palë shtetin shqiptar. Pavarësisht se informacioni i kërkuar ka qenë përgjithësisht elementar (si p.sh lista e shoqërive që aktualisht janë në proces arbitrazhi me shtetin shqiptar) qasja e autoritetit publik kompetent ka qenë negative, duke referuar në parimin e konfidencialitetit.

Login to post comments