Ish udhëheqësi i serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhiç, u dënua më burgim të përjetshëm nga Gjykata e Hagës duke e shpallur fajtor për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve e zakoneve të luftës, lidhur me rolin e tij udhëheqës në fushatën e terrorit ndaj popullsisë civile, përfshirë masakrën e Srebrenicës, ndër mizoritë më të rënda në Evropë që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore.
Një dënim i vonuar që vendos drejtësinë dhe një mesazh i drejtpërdrejtë edhe për pinjollët që vazhdojnë në ëndrrat e tyre për Serbinë e madhe.
Teza e Aleksandër Vuçiçit e risjellë në tryezë me ndihmën edhe të Edi Ramës e lejon Serbinë për të ëndërruar marrjen e Kosovës.
Ndërsa duhej të ishte duke krijuar politika për të kërkuar jo vetëm me fjalë, falje për krimet mbi popullin shqiptar në Kosovë, Akleksandër Vuçiç këkron ta çojë në fund projektin për Serbinë e Madhe.
Viktimat e luftës në Kosovë janë ofenduar shumë herë edhe pas luftës, nga po të njëjtat struktura institucionale të Serbisë. Në Beograd, gjykatat serbe kanë liruar si të pafajshëm, për shembull, tre nga shtatë të akuzuarit për masakrën makabre të kryer në Suharekë ndaj familjes Berisha në mars të vitit 1999.
Pa dyshim se nuk është treguar fare ndonjë vullnet politik, njerëzor dhe ndërkombëtar të institucioneve dhe popullit serb për të pranuar krimet e kryera në Kosovë, sikurse edhe për të dënuar fajtorët politikë dhe ekzekutuesit e këtyre masakrave dhe vrasjeve.
Dhe paralel me këtë sjellje vjen edhe vendimi i sotëm i Hagës, për ti kujtuar kriminelëve se drejtësia vjen edhe pse vonë, ajo është e shenjtë.