Vrasja e avokatit, Dhoma e Avokatisë: Nuk shërbejmë për 3 ditë

Hënë, 25 Mars 2019 18:57

Dhoma e Avokatisë ka reaguar në lidhje me vrasjen e avokatit Ravik Gurra. Përmes një deklarate për mediat, Dhoma e Avokatisë shprehet se do të ndërpresë shërbimet për tri ditë, nga e mërkura deri të premten.

“Vrasja e avokatit Ravik Gurra ka tronditur opinionin publik mbarëshqiptar. Për 3 ditë do të ndërpresim dhënien e shërbimeve. Nuk do të ketë shërbime nga e mërkura deri të premten. Vendimi nuk është i vlefshëm vetëm për seancat ku jepen masat e sigurisë. Për avokatët që do të thyejnë këtë urdhër, do të ketë masa disiplinore”, thuhet në deklaratën e Dhomës së Avokatisë.

NGJARJA

Ngjarja e rëndë ndodhi pranë një lokali të njohur në qendër të qytetit të Elbasanit rreth orës tetë të darkës të datës 22 mars dhe autori dyshohet se ka qene i maskuar. Viktima, Gurra, që njihet për mbrojtjen e çështjeve të bujshme si ajo e Çapjave dhe Shullazit, ka qenë i ulur në ambientet e lokalit jashtë kur është qëlluar pas koke. Ai ishte i shoqëruar me dy persona të tjerë në tavolinë, njëri prej tyre gjithashtu avokat. Autori që e ka qëlluar me pistoletë është larguar me një mjet që është gjetur i djegur në dalje të qytetit të Elbasanit. Policia ka ngritur postblloqe për kapjen e autorëve dhe zbardhjen e ngjarjes.

Ravik Gurra, babai i dy fëmijëve, prej vitesh bënte një jetë mes Shqipërisë dhe Britanisë së Madhe, ku jetonte bashkë me familjen që prej vitit 1998. Dy çështjet më të rëndësishme që 50-vjeçari ka mbrojtur në vendin tonë lidhen me fisin Çapja në Elbasan si dhe Emiljano Shullazin në Tiranë. Përveç Shqipërisë, Gurra ushtronte profesionin e avokatit dhe në Angli, ku kishte themeluar zyrën, ku kryesisht merrej me çështje të emigrantë shqiptarë në Britani.

HETIMET

Hetimet për zbardhjen e vrasjes së Ravik Gurrës i kanë kaluar Prokurorisë për Krimet e Rënda në Tiranë, pasi bëhet fjalë për ekzekutim të funksionarëve publikë. Grupi hetimor që po punon për zbardhjen e vrasjes mafioze, ende nuk ka një të dyshuar konkret, ndërkohë që për t’u marrë në pyetje janë shoqëruar shumë persona. Ngjarja ndodhi në qendër të qytetit, ku ndodhen dhe shumë institucione publike. Gjithçka ka qenë shumë e shpejtë sa dhe miqtë e tij dhe dëshmitarë në ambientet e jashtme të lokalit kanë menduar se avokatit i kanë rënë të fiktë kur e panë të shtrirë në tokë.

Hetuesit kanë sekuestruar dhe kamerat e sigurisë përgjatë itinerarit që autorët kanë përdorur për t’u larguar në mënyrë që të arrijnë në identifikimin e autorit dhe bashkëpunëtorëve të tij. Ka dyshime të forta se autori është paguar, ndërsa konsiderohet vrasje për shkak të detyrës.

Login to post comments