Policia e Elbasanit ka sekuestruar 21 kg kanabis, ndërsa në pranga kanë rënë 4 persona dhe 1 tjetër është shpallur në kërkim. Në kuadër të operacionit policor të koduar “Progër”, u arrestuan në flagrancë shtetasit; V.A., 25 vjeç, A.A., 19 vjeç, I.A., 22 vjeç, S.S., 30 vjeç, banues në Peqin.
Gjatë operacionit në një banesë të pa banuar Policia gjeti dhe sekuestroi rreth 21 kilogramë lëndë narkotike cannabis sativa. Në afërsi të banesës u kapën në flagrancë 4 shtetasit e lartëpërmendur të cilët do merrnin lëndën narkotike.
Nga veprimet e para hetimore rezulton se dhe shtetasi M.P., është i përfshirë në këtë veprimtari kriminale, i cili është shpallur në kërkim dhe po punohet për kapjen e tij.
Policia vijon punën për idetifikimin dhe arrestimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Elbasan, për veprime të mëtejshme.