Erjon Veliaj është një nga autorët e asaj që ndodh sot me banorët e Unazës së Re. Bashkë me Edi Ramën, ai po çon përpara një projekt jo vetëm korruptiv, por shkatërrues për dhjetra e qindra familje e banorë, që kanë hedhur kursimet e tyre në banesa e biznese, që po tentohen të rrafshohen.
Sot ndodhi ajo që ishte paralajmëruar prej kohësh. Një sulm i paprecedent i policisë së Lleshajt kundër qytetarëve që ndoshta kurrë se persona të veshur me uniformë do t’i dhunonin në lokale, rrugë e kudo që ishin.
Sulmi ishte i koordinuar, ndalime në masë, rrahje, gaz. Njëlloj si një ushtri pushtuese, e ngjashme me ato në Siri, për të kapur territore dhe më pas për të ngritur jo flamurin, por për të ngritur skrepat e fadromave kundër banesave e bizneseve.
Skena që më parë ishin aplikuar pranë ish-stacionit të Trenit në Tiranë, por në përmasa më të frikshme.
Ndoshta një paralajmërim mbi atë se çfarë mund të ndodhë nesër me Teatrin Kombëtar apo në çdo zonë tjetër të Tiranës dhe vendit.
Rama u shfaq i qetë në një takim në Kryeministri, madje duke qeshur e bërë batuta. Veliaj pasi lëshoi disa postime në rrjet, vendosi të relaksohej.
Tamam si një “vrasës serial” që pas ccdo krimi mund të dëgjojë muzikë, Veliaj zgjodhi të relaksojë veten me pamjen e Liqenit Artificial në stinën e vjeshtës. Nuk ka nguruar që postimin t’a hedhë në faqen e Bashkisë së Tiranës, si për t’i bërë karshillëk qytetarëve të qytetit që thotë se drejton dhe po e zhvillon.
“E ku ka si qetësia që të dhuron parku te Liqeni Artificial në këtë stinë vjeshte?! Relaks shpirtëror!”, thuhet në postimin e Bashkisë së drejtuar nga Veliaj.
Është i njëjti që dikur lyente duart me bojë të kuqe dhe thoshte që është gjak. i njëjti që shpikte nga mendja e tij krime makabre si ai i rrëmbimit të një gruaje në Kavajë, i njëjti që tregon histori nga fëmijëria si shitës i fiqve dhe sot kënaqet dhe relaksohet, kur një komunitet i qytetit ka përjetuar dhunë e gjenocid nga ata që fatkeqësisht mbajnë të veshur një uniformë të Policisë së Shtetit.