Në Kosovë është publikuar një sondazh që sjell të dhëna të detajuara për raportet mes Shqipërisë dhe Kosovës për disa prej çështjeve themelore. Sondazhi është publikuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqërinë Civile dhe nga Fondacioni për Shoqërinë e Hapur në Shqipëri.
Në lidhje me pyetjen se a kanë dëshirë të realizohet bashkimi kombëtar, 63 përqind e të pyeturve në Shqipëri dhe 54 përqind e të pyeturve në Kosovë thonë se e duan bashkimin. Kundër bashkimit kombëtar janë kryesisht qytetarët që jetojnë në rajonet urbane në Kosovë dhe Shqipëri.
Nëse do kishte një referendum për bashkimin, 75 përqind e shqiptarëve thonë se do votonin pro, përkundrejt 64 përqind të kosovarëve
Por vetëm 23 përqind në Shqipëri dhe 17 përqind në Kosovë besojnë se ky projekt mund të realizohet.
Të pyetur në sondazh, 88 përqind e shqiptarëve të Kosovës thonë se e kanë vizituar Shqipërinë, kurse 31 përqind e shqiptarëve të Shqipërisë thonë se kanë shkuar në Kosovë.
Kosovarët e shohin si problemin më të madh në Shqipëri çështjen e sigurisë. 60 përqind e tyre thonë se ndjehen të sigurt. Ndërkohë 85 përqind e shqiptarëve të Shqipërisë ndjehen të sigurt në Kosovë.
Sa u përket martesave, 75 përqind e shqiptarëve në Shqipëri thonë se nuk do e kishin problem të martoheshin me shqiptarët e Kosovës, kurse 56 përqind e shqiptarëve të Kosovës nuk do e kishin problem të martoheshin me shqiptarët e Shqipërisë.
Ndërkohë 65 përqind e shqiptarëve të Shqipërisë thonë se do martoheshin me dikë nga Europa Perëndimore, ndërsa vetëm 19 përqind e qytetarëve të Kosovës do e bënin këtë gjë.
76 përqind e qytetarëve të Shqipërisë nuk e kanë problem të martohen me anëtarë të feve të tjera, kurse në Kosovë vetëm 13.5 përqind janë gati për t'u martuar me dikë me besim fetar tjetër.
Shqiptarët e Kosovës janë më të informuar për liderët e institucioneve kryesore të Shqipërisë dhe datat e tyre historike krahasuar me shqiptarët e Shqipërisë në raport me çështjet e njëjta të Kosovës.
Shqiptarët e Kosovës i ndjekin më shumë mediat e Shqipërisë sesa shqiptarët e Shqipërisë mediat e Kosovës.
Të pyeturit nga të dyja vendet mendojnë se arsimi është më i zhvilluar në Shqipëri sesa në Kosovë, ndërsa sundimi i ligjit, mirëqenia dhe sporti më të zhvilluara në Kosovë sesa në Shqipëri.