Policia gjermane tha se ka gjetur bombola gazi dhe municione të vjetra lufte në një apartament, ku të premten ndodhi një shpërthim, që la të vrarë një person dhe të paktën 15 të plagosur.
Incidenti ndodhi në qytetin lindor gjerman të Blankenburgut. Viktima besohej se ishte një 78-vjeçar, i cili e kishte marrë me qira pronën ku u gjetën materialet e ndezshme.
Dhjetra policë dhe shërbimet emergjente dolën menjëherë në vendin e ngjarjes, raportojnë media lokale. Sipas policisë, dyshohet se shpërthimi ishte shkaktuar nga një bombolë.
Zona përreth incidentit u izolua dhe banorët në afërsi u evakuuan, duke përfshirë edhe fëmijët në një çerdhe lokale. Asnjëri nga fëmijët nuk është lënduar, tha policia.