Oshëtinte muzika serbe/ Darkon Vuçiç, ‘terror’ mbi banorët dhe bizneset

Saturday, 21 December 2019 10:38

Mbërritja e Aleksandër Vuçic dhe Zoran Zaev në Tiranë, në kuadër të projektit të Mini Shengenit, duket se ka paralizuar jetën në një pjesë të mirë të kryeqytetit.

Pas një trafiku të rënduar që u vërejt në shumë rrugë të Tiranës mbrëmjen e djeshme, dhe një proteste që iu rezervua Vuçiçit, bëjnë me dije se zona pranë RTSH-së është kthyer në një shtetrrethim, për shkak të masave shumë të larta të sigurisë, që janë ndërmarrë nga ana e autoriteteve shqiptare.

Për shkak se presidenti serb ishte duke konsumuar darkën në restorantin Padam, shumë prej qytetarëve që kishin banesat e tyre në pallatet ngjitur nuk janë lejuar që të hynin në banesat e tyre, duke qëndruar jashtë për orë të tëra.

Ndërkohë dëshmitarë bëjnë me dije se në Padam, në momentet kur darkonte Vuçiç ofshëtinte muzika serbe, që duket se ‘sfumonte’ dhe festivalin e muzikës në RTSH që mbahej disa metra më tutje, dhe ku këngët pjesëmarrëse ishin shqip.

Probleme nga masat e larta të sigurisë kanë ndeshur dhe bizneset pranë Padam, ku njerëzit nuk janë lejuar që të ulen në lokale për minuta të tëra, duke paralizuar në mënyrë të pandershme aktivitetin e tyre.

Vizita e Vuçiç në Tiranë është pritur me kritika dhe me protesta, ku dje aktivistët e Vetëvendosjes, patën dhe një përplasje me policinë, pasi sipas tyre është e papranueshme që presidenti serb të vijë në Shqipëri, në një kohë kur mohon një nga masakrat më të rënda mbi shqiptarët, siç është ajo e Reçakut.

E megjithatë, Rama dhe miku i tij Vuçiç kanë vazhduar axhendën e tyre, ku mëngjesin e sotëm patën takime në Durrës, në zonat e prekura nga tërmeti i 26 Nëntorit. /Faxweb

Login to post comments