Si ta dha mendja të merreshe me drogë?/ 24 vjeçarja shqiptare tregon si u fut në trafikun e lëndëve narkotike

E Enjte, 26 December 2019 17:07

“Historia ime” në Tv Klan ka shkuar në burgun e grave në Tiranë, ku rreth 80 gra vuajnë dënimin. Një prej tyre është Redona Demolli, e cila vuan dënimin në këtë burg prej 3 vitesh e gjysmë.

Ajo është arrestuar në flagrancë për trafikim të lëndëve narkotike. Redona është penduar për gabimin e bërë, por nga ana tjetër e pranon se qëndrimi aty e ka ndryshuar këndvështrimin e saj për jetën, veten dhe familjen.

Ajo nuk është më vajza rebele e disa viteve më parë, që për shkak të kokëfortësisë së saj bëri gabimin që e çoi në burg.

 

Mirela Milori: Sa vjeç je?

 

Redona: 24 vjeç.

Mirela Milori: Sa kohë ke këtu?

Redona: Kam diku 3 vjet e 5 muaj.

Mirela Milori: Edhe sa kohë duhet të rrish brenda?

Redona: Më ka ngelur dhe një 1 vit e gjysëm.

Mirela Milori: Nëse mund të pyes pse je këtu?

Redona: Jam arrestuar në flagrancë për trafikim të lëndëve narkotike.

Mirela Milori: Si ta dha mendja të merreshe?

Redona: Isha shumë e vogël dhe në atë moshë nuk i kupton dhe shumë gjërat dhe jam dhe natyrë impulsive dhe shumë gjaknxehtë. Edhe dua që çdo gjë që ta bëj, ta bëj vetë dhe nuk di si ta shpjegoj, por në atë periudhë nuk isha mirë psikologjikisht. Në atë periudhë mendoja se nuk më donte njeri, nuk doja asnjë njeri afër vetes, i doja gjithë njerëzit larg. Kam bërë dhe shumë gabime se përveçse arrita në atë pikë, që arrita dhe u arrestova, por edhe prindërit e mi i kisha larguar nga vetja. Nuk doja as që t’i flisja, as t’i takoja. Ju thoja mos më merrni në telefon, nuk dua të flas më me ju.

Mirela Milori: Nga je?

Redona: Jam me origjinë nga Bilishti.

Mirela Milori: Atje jetoje?

Redona: Prindërit e mi jetonin në një fshat Devoll, ndërsa unë kisha filluar shkollën dhe jetoja në Korçë.

Mirela Milori: Si po e kalon këtu?

Redina: Mësohesh, është diçka që me kalimin e kohës mësohesh. Nuk është e lehtë të jetosh këtu, se çdo ditë bëhet më e vështirë, çdo ditë e njëjta gjë. Çdo ditë ndjek të njëjtën rutinë dhe është shumë e lodhshme.

Mirela Milori: Çfarë ka ndryshuar tek ty?

Redina: Kanë ndryshuar shumë gjëra, pothuajse kam ndryshuar e gjitha dhe e vë re vazhdimisht gjatë gjithë kohës, që s’jam më ai njeriu që kam qenë. E shikoj jetën më ndryshe. Ky është një vend ku ti mëson çdo ditë dhe rritesh çdo ditë.

Mirela Milori: Kur të fillosh jetën tënde do e kesh parasysh atë që bëre para se të vikje këtu dhe që të bëri të jesh këtu?

Redina: Sigurisht që do e kem parasysh se unë jam penduar për atë që kam bërë. Por nuk e gjykoj aq shumë veten për atë që bëra, se gjithmonë mundohem t’ju shoh anën pozitive gjërave. Dhe them nëse unë nuk do kisha bërë një gabim të atillë nuk do kisha ardhur këtu, nuk do isha rritur kështu, nuk do kuptoja vlerën e shumë gjërave, nuk do kuptoja vlerën e familjes, vlerën që ka dashuria e prindërve dhe familjarëve të tjerë.

Login to post comments