‘Veliaj, njeri i armatosur me paratë e drogës’/ Sfida e Budinës: Le të vijë te Teatri dhe të marrë përgjigjen që meriton

E Enjte, 26 December 2019 17:09

Regjisori Robert Budina i ka bërë një sfidë të hapur kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj që të dalë vetë te Teatri Kombëtar që kërkon të shembë dhe të marrë përgjigje që meriton.

Duke folur në studion e “FaxNeës”, Budina e akuzoi Veliajn se po mbrohet nga paratë e drogës për të sulmuar fjalën e lirë dhe për të shkatërruar trashëgiminë.

“Armët tona kanë qenë gjithmonë fjala e lirë, mikrofoni, ndërgjegjësimi i njerëzve. Ky njeri i armatosur me paratë e oligarkëve, drogës, nuk mund të vijë aty të sulmojë Teatrin Kombëtar. Ky njeri le të vijë dhe të dalë vetë aty dhe do të shohë se cila do të jetë përgjigja e shqiptarëve. Ne po rrimë për të dhënë një shembull shprese, ne kemi ndikuar tek njerëzit që kanë ndikim.

 

Ne kemi siguruar mbështetjen e Evropës për këtë punë, 98% e njerëzve thonë që teatri duhet të qëndrojë. Ku janë këta njerëz që kërkojnë ta shembin? Nuk janë gjëkundi. Ata duan të përdorin paratë e drogës për të na shembur fjalën e lirë. Shqiptarët duhet të dinë se çfarë është e tyrja”, tha Robert Budina.

 

Ai ka ndarë edhe detaje nga takimet me ambasadorët e huaj në Shqipëri.

Sipas Budinës, pas reagimit të “Evropa Nostra”, tashmë teatri është një trashëgimi evropiane. Ai ka theksuar se kjo çështje do të shkojë deri në Parlamentin Evropian.

“Ne kemi bërë takime pafund me ambasadorë dhe ja kemi bërë të qartë. Si kundërpërgjigje kemi marrë një deklaratë të tyren se për ta është e vështirë të ndërhyrjnë. Ne ju kemi thënë që pse luani me dy standarde se për sistemin e drejtësisë keni ndërhyrë. Europa Nostra mbështet lëvizjet që nuk lënë politikën e mbrapshtë të prishin trashëgiminë.

Evropa e ka cilësuar Teatrin Kombëtar një trashëgimi evropiane. Ne do ta denoncojmë në Parlamentin Evropian këtë tentativë ogurzezë të qeveisë shqiptare. Ne do t’i themi që ta ndalojnë. Pastaj do të presim edhe Gjykatën Kushtetuese. Ky njeri i zhduki gjykatat dhe të thotë hajde më gjyko pasi e kam shembur”, ka deklaruar Robert Budina. Ai ka shtuar se qëndresa e artistëve dhe aktivistëve do të vijojë edhe kur policët të zbarkojnë në godinë për ta shembur.

Login to post comments