Një shqiptar, i njohur si producent muzikor, u ekzekutua në Londër. Flamur ‘Alex’ Beqiri, 36 vjeç, u qëllua dhjetë herë në sy të gruas dhe fëmijës së tij. Sipas Daily Mail, e shoqja Debora, e cila e pa skenën, ulëriti nga jashtë shtëpisë me vlerë 1.5 milionë sterlina në Battersea.
Gazeta britanike shkruan se vrasja e Beqirit ka lidhje me një seri vrasjesh në terrenin e mafias shqiptare. Dikur, Beqiri ka qenë një prej njerëzve më të kërkuar në Suedi, shkruan gazeta.
Motra e tij është një tjetër shqiptare e famshme. Ajo quhet Misse Beqiri dhe ka marrë pjesë në një serial britanik. Policia në Suedi thotë se po punon me kolegët britanikët për shkak se disa miq dhe bashkëpunëtorë të Beqirit janë vrarë që kur ai u zhvendos në Britani para tre vitesh.
Në vitin 2008 ai u shpall si një nga personat më të kërkuar në Suedi pasi hetuesit thanë se ishte pjesë e një grupi ndërkombëtar të trafikut të kanabisit, që kishte futur drogë me vlerë 2 milionë sterlina në Skandinavi. Daily Mail shkruan se Beqiri u zhvendos nga Shqipëria drejt Suedisë në moshë të vogël. Ai mendohet se u largua nga Suedia drejt Britanisë për të bërë një jetë të ligjshme.
Martesa e shqiptarit me Debora Krasniqin vitin e shkuar në liqenin Komo në Itali u pasqyrua edhe nëpër portale. Policia thotë se për momentin nuk ka asnjë të arrestuar për ngjarjen e rëndë.