VIDEO-MESAZHI për festat/ Meta: Le të jetë 2020 viti i ndryshimit të madh

Tuesday, 31 December 2019 16:46

Presidenti i Republikës Ilir Meta uron shqiptarët në këtë prag viti të ri. Përmes një video-mesazhi të shpërndarë në rrjetet sociale, kreu i shtetit uron ndër të tjera për një 2020 të mbarë dhe të begatë për Shqipërinë dhew shqiptarët.

"Le të jetë 2020 viti i ndryshimit të madh!", thuhet ndër të tjera në urimin e presidentit.

Mesazh urimi i Presidentit Meta me rastin e Vitit të Ri 2020

 

Të dashur motra e vëllezër shqiptarë,

 

Në këtë festë tradicionale të ndërrimit të viteve, të bashkimit dhe solidaritetit njerëzor e shpirtëror pranë vatrave të ngrohta familjare, të takimit me të dashurit e zemrës dhe miqtë tuaj në tryezat e gëzimit, shpresave dhe ëndrrave të reja, kam kënaqësinë t’i bashkohem urimit të përzemërt:

GËZUAR VITIN E RI 2020!

Qoftë një vit i mbarë dhe i begatë, i mbushur me lumturi, dashuri dhe paqe në çdo familje, në shoqërinë dhe në Shqipërinë tonë të dashur!

Zhgënjimet që po lemë pas me vitin e vjetër, le të na ndihmojnë për një reflektim të thellë e të sinqertë në mënyrë që viti 2020 të jetë viti i realizimit të shpresave dhe ëndrrave të çdo shqiptari dhe familje shqiptare, por edhe viti që e afron Shqipërinë me familjen europiane dhe standardet e saj!

Çdo shqiptar i ndershëm dhe punëtor kërkon më shumë shpresë dhe meriton mirëqenie, por edhe ndihmë, përkrahje e mbështetje, për të ndërtuar një jetë të denjë dhe një të ardhme të sigurt në Atdheun tonë.

Secili prej jush meriton më shumë pozitivitet, një Shqipëri më të drejtë, më të dashur, më të dhembshur dhe më njerëzore.

Dhe kjo në radhë të parë kërkon një Shqipëri përfshirëse dhe më të bashkuar, e udhëhequr gjithmonë nga interesi kombëtar dhe publik.

Solidariteti mbarëkombëtar që treguam pas tërmetit tragjik, është një themel i fortë dhe i qëndrueshëm, që na frymëzon të gjithëve dhe na jep besim për sfidat që na presin!

Sot ne shkëmbejmë urimet më të mira për Vitin e Ri, por nga 1 janari duhet të mendojmë dhe të punojmë më shumë, të gjithë së bashku, për t’i dhënë dritë dhe shpresë të ardhmes sonë dhe të fëmijëve tanë në Atdheun tonë!

E ardhmja është në dorën e secilit prej nesh dhe të bashkuar  do t’ia dalim!

Numërimi mbrapsht ka filluar!

Le të jetë 2020 viti i ndryshimit të madh!

GËZUAR NË ÇDO VATËR SHQIPTARE!

ZOTI E BEKOFTË SHQIPËRINË DHE KOMBIN SHQIPTAR!

Login to post comments