Sidomos pas motit të keq me erë të fortë dhe temperatura të ulëta, gjenda e banorëve të Laçit është rënduar. AbcNews ka sjellë dëshminë e një nëne të re, me tre fëmijë, më i vogli 7 muajsh, në fshatin Sanxhak të Laçit.
Bora Pera tregon se prej 3-4 ditësh ka fryrë ere e fortë që ka rrëzuar çadrën. Ajo bashkë me 3 fëmijët, 10 vjeç, 4 vjeç, dhe 7 muajsh, bashkëshortin dhe vjehrrit e moshuar kanë qëndruar në çadër që nga tërmeti i 26 nëntorit.
Por ditët e fundit, çadra ka rënë dhe ata janë detyruar të hyjnë në banesën e rrënuar, tjegullat e së cilës rrezikojnë ti zënë brenda nga momenti në moment.
‘Gjithë natën jam pa gjumë…me dy orë gjumë. I kam mbuluar fëmijët me 3 jorganë, me mendimin se po ranë tjegullat të mos u bien në kokë fëmijëve. Është tmerr, tmerr, fryn ere, është ftohtë.
Kemi shkuar në bashki por nuk na japim bonus qiraje. Këtë e thotë edhe Kryeministri Edi Rama që s’ka bonus për ne që jetojmë në fshat.
A ka fëmijë vetë ai?! A logjikojnë këta njerëz?! A janë normalë?! Si mundet që fëmija i vogël të qëndrojë në çadër? Kush mban përgjegjësi për ne? Z. Rama që thotë rri në çadër të vijë vetë të rrijë në çadër…’, shprehet ajo e revoltuar. /abcnews