‘Sanatoriumi t’i rikthehet pacientëve’/ Mjeku: COVID-19 do zhduket në verë, si çdo virus

Hënë, 04 May 2020 19:29

Në një lidhje ‘live’ me Euronews Albania, mjeku pneumolog i Sanatoriumit, Arjan Mezini,u shpreh se ka ardhur momenti që spitali ‘Shefqet Ndroqi’ (Sanatoriumi), i cili prej një muaji është vënë në dispozicion të të sëmurëve me COVID-19, duhet t’i rikthehet pacientëve të vet, atyre që vuajnë nga sëmundje pulmonare, turbekulozi etj

“Ka ardhur momenti që Sanatoriumi të rihapet për pacientët në funksion të të sëmurëve pulmonarë, atyre që vuajnë nga turbekulozi etj.

Tashmë po mbyllet java e katërt që në dispozicion të të infektuarve më COVID-19 janë 310 shtretër, tek Infektivi dhe Sanatoriumi dhe në përgjithësi numri i shtretërve s’i ka kaluar shifrat e 10-12 për qind. Që tregon se çdo gjë është e kontrolluar, ndaj mendoj se ka ardhur koha që Sanatoriumi t’i kthehet pacientëve të vet”, tha mjeku.

Sipas tij kjo javë do të jetë vendimtare për të parë sjelljen e virusit që në javën e parë dëshmoi se është duke u larguar. Mjeku pneumolog i qëndroi idesë se testimi masiv do të ishte strategjia më e mirë për të shkuar më të sigurt drejt hapjes së aktiviteteve.

“Kemi hyrë në javën e dytë të lirimit të masave, po edhe gjatë javës së kaluar nuk kemi pasur ndonjë shtim të shumtë të numrit të të prekurve. Javën e shkuar në Sanatorium nuk pati asnjë shtrim.  Edhe kjo javë që jemi do të jetë vendimtare.

Strategjia e testimit masiv është ajo që duhet të kishim ndjekur me kohë, sigurisht jo në nivelin e Gjermanisë së nuk i kemi mundësitë, por të paktën në nivelin e Maqedonisë. Ne po shkojmë drejt hapjes totale dhe rreziku është evident. Ne duhet të ndjekim rrugën që ndjekin vendet e tjetra, të testojmë masivisht.

Megjithatë po hyjmë në verë, kur përhapja e virusit do të jetë e papërfillshme, sepse është virus respirator dhe nuk ka pse sillet ndryshe nga të tjerët që e humbin fuqinë në verë”, tha mjeku.

Login to post comments