Në vitin 2019, 22% e të punësuarve punonin pa pagesë në biznesin e familjes sipas INSTAT. Nëse ata nuk kanë qenë të regjistruar në sigurime, kriza e shkaktuar nga Covid-19 rrezikon t’I lërë ata pa të ardhura, pasi nuk përfitojnë nga skemat e ndihmës financiare.
INSTAT ka publikuar të dhënat për tregun e punës për vitin 2019.
Bazuar në vlerësimet e Anketës së Forcave të Punës, gjatë vitit 2019, numri i personave në forcën e punës është 1.430 mijë persona. Femrat përbëjnë 44,4 % të forcës së punës dhe meshkujt 55,6 %. Të punësuar janë 1.266 mijë persona, ku femrat përbëjnë 44,5 % të të punësuarve dhe meshkujt 55,5 %. Numri i të papunëve vlerësohet të jetë 165 mijë persona, ndër të cilët 44,0 % janë femra dhe 56,0 % janë meshkuj.
Shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës për popullsinë 15-64 vjeç është 69,6 %. Për meshkujt e moshës 15-64 vjeç shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës është 16,0 pikë përqindje më e lartë sesa për femrat.
Sektori i shërbimeve dhe sektori bujqësor kanë përqindjen më të lartë të të punësuarve me përkatësisht 43,5 % dhe 36,4 % të të punësuarve gjithsej. Në vitin 2019, rezulton se 45,7 % e të punësuarve janë të punësuar me pagë, 32,3 % janë të vetë-punësuar (punëdhënës ose të vetëpunësuar pa të punësuar të tjerë) dhe 22,0 % janë punëtorë pa pagesë në biznesin e familjes.
Shkalla zyrtare e papunësisë në vitin 2019, për popullsinë 15 vjeç e lart, është 11,5 % dhe shënon një ulje me 0,8 pikë përqindje, krahasuar me vitin 2018. Për meshkujt, shkalla e papunësisë është 0,2 pikë përqindje më e lartë sesa për femrat.
Shkalla e papunësisë për të rinjtë e moshës 15-24 vjeç është 27,2 % (27,8 % për meshkujt dhe 26,3 % për femrat). Krahasuar me vitin pararendës, shkalla e papunësisë së të rinjve ka rënë me 1,1 pikë përqindje.
Në vitin 2019, të rinjtë e moshës 15-29 vjeç të cilët nuk janë të punësuar dhe nuk janë duke ndjekur shkollën apo ndonjë formim profesional përbëjnë 28,9 % të të rinjve gjithsej.
Në grupin e të rinjve që nuk janë të punësuar dhe nuk janë as duke ndjekur shkollën apo ndonjë formim profesional, 36,5 % klasifikohen si të papunë. Pjesa tjetër, janë jashtë tregut të punës për arsye se janë ose të dekurajuar (12,7 %), ose duke përmbushur detyra dhe përgjegjësi familjare (18,1 %), ose për arsye të tjera (32,7 %)./Monitor