Policia ka arrestuar dhe gjobitur disa drejtues mjetesh në Tiranë për shkelje të ndryshme të rregullave të qarkullimit rrugor. Sipas policisë janë arrestuar në kushtet e flagrancës 18 drejtues mjetesh, nga të cilët 11 në gjendje të dehur dhe 7 prej tyre nuk ishin të pajisur me leje drejtimi.
Ndërkohë janë pezulluar 107 leje drejtimi si dhe janë proceduar administrativisht 78 drejtues mjetesh, për shkelje të semaforëve.
Njoftimi i policisë:
Tiranë/Informacion
Me lehtësimin e masave kufizuese për lëvizjen e lirë të mjeteve dhe këmbësorëve janë rikthyer edhe rreziqet që u kanosen përdoruesve të rrugës në tërësi, nga shkeljet e rregullave të qarkullimit dhe pakujdesia që tregojnë gjatë përdorimit të rrugës.
Me qëllim menaxhimin e rrymave të trafikut, kryesisht në hyrjet kryesore të kryeqytetit, kontrollin e mënyrës së përdorimit të rrugës dhe respektimin e normave të sjelljes, veçanërisht nga drejtuesit e mjeteve me dy rrota, prej disa ditësh, rrugorët e kryeqytetit kanë organizuar kontrolle të dedikuara ndaj mjeteve dhe shkeljeve që janë evidentuar si rrezik potencial për sigurinë në rrugë. Si rezultat i kontrolleve gjatë kësaj jave janë konstatuar dhe:
Janë arrestuar në kushtet e flagrancës 18 drejtues mjetesh, nga të cilët 11 në gjendje të dehur dhe 7 të papajisur me leje drejtimi; Janë pezulluar 107 leje drejtimi, nga të cilat 23 për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit, 74 për shpejtësi mbi normat e lejuara dhe 10 për shkelje të tjera të ndryshme;
Janë proceduar administrativisht 78 drejtues mjetesh, për shkelje të sinjalizimit të ndritshëm (semafor); Janë proceduar 358 drejtues mjetesh të ndryshme, të cilët janë konstatuar se qarkullonin apo pushonin mjetet e tyre në korsitë e dedikuara të shërbimit publik dhe në pistat e rezervuara për biçikletat;
Janë proceduar gjithashtu 93 drejtues biçikletash, të cilët janë konstatuar duke qarkulluar në pistat që nuk janë të rezervuara për to; #MosDrejtoMjeteNënEfektine #RespektoSinjaliziminRrugor #JepuPërparësi #PedaloNëPistatERezervuara