Gjatë gjashtëmujorit të parë 2020, gati 72 % e ndërmarrjeve të vogla raportuan një rënie të theksuar të nivelit të shitjeve. Situata ka rezultuar e ngjashme edhe për ndërmarrjet e mesme dhe të mëdha, ku shitjet kanë rënë përkatësisht në 76.6% dhe 64.5% prej tyre, duke shfaqur gjithashtu përkeqësim krahasuar me të gjitha periudhat paraardhëse.
Rezultatet dolën nga një anketë që Banka e Shqipërisë realizoi në më shumë se 1300 biznese në të gjithë vendin për të testuar gjendjen e tyre financiare.
Gjendja e financiare e bizneseve shihet të jetë cenuar rëndë si në drejtim të shitjeve dhe fitimeve nga pandemia Covid -19.
Rezultatet paraqiten të ngjashme edhe për ndryshimin e rezultatit financiar për gjysmën e parë të vitit 2020, duke ndjekur ecurinë e balancës së shitjeve të përgjithshme.
Kështu, ndërmarrjet e vogla vlerësojnë rënie të theksuar të rezultatit financiar gjatë periudhës, me një balancë neto negative prej 70%, mjaft e zgjeruar në krahasim me periudhat paraardhëse. Edhe ndërmarrjet e mesme dhe të mëdha deklarojnë balanca negative të rezultatit financiar, respektivisht 71.1% dhe 61.9%, në përkeqësim të ndjeshëm krahasuar me periudhat e mëparshme.
Pritshmëritë për gjashtëmujorin e ardhshëm janë pozitive për të tre grupet e ndërmarrjeve dhe më optimiste se në gjashtëmujorin paraardhës, çka shkon në të njëjtën linjë me pritshmëritë për ecurinë e shitjeve.
Për sa i përket pritshmërive për nivelin e shitjeve të përgjithshme në gjashtëmujorin e ardhshëm, ndonëse ecuria e shitjeve paraqet një situatë të rënduar, të tre grupet e ndërmarrjeve vijojnë të kenë pritshmëri pozitive lidhur me ecurinë e tyre. Për gjashtëmujorin e dytë të vitit, pritet një rritje e nivelit të shitjeve, madje ndërmarrjet paraqiten më optimiste në krahasim me periudhat e mëparshme.
Për sa i takon zgjerimit të veprimtarisë apo rritjes së investimeve për gjysmën e parë të vitit 2020, të tre grupet e ndërmarrjeve kanë shënuar balanca neto negative, përkatësisht 1.7% në rastin e ndërmarrjeve të vogla, 2.3% për ndërmarrjet të mesme dhe 9.2% për ato të mëdha.
Situata e krijuar nga pandemia ka ndikuar dukshëm në vendimmarrjen lidhur investimet apo zgjerimin e aktivitetit të ndërmarrjeve, duke e bërë të pamundur këtë aspekt për periudhën. Për gjashtëmujorin e ardhshëm (6MII 2020), balancat neto të përgjigjeve kanë rezultuar pozitive për të tre grupet e ndërmarrjeve, çka nënkupton pritshmëri për investim apo zgjerim të mëtejshëm të veprimtarisë, por në krahasim me periudhat paraardhëse të vrojtuara, këto pritshmëri janë më pak optimiste për ndërmarrjet e mesme dhe të mëdha./MONITOR