Nëse doni të udhëtoni drejt Velipojës, duhet të mendoheni mirë këtë verë. Ende pa nisur sezoni turistik rruga paraqet problematika të shumta, që nga trafiku i rënduar, pluhuri i pafund, e prezenca e kafshëve në rrugë që nuk i ndahen këtij segmenti. Për fat të keq turizmi do të marrë një goditje të fortë këtë sezon, pasi rruga që ishte parashikuar të mbyllej në verë, nuk është gati, pasi punimet me hapa breshke e kanë shtyrë afatin për në fund të 2018-ës.
Gjithmonë edhe ky afat nëse do të kapet nga firmat e kontraktuara. Por çfarë do të thotë e gjitha kjo dhe sa rrezikon Velipoja këtë sezon? Për këtë askush nuk do t’ia dijë, por dëmin e madh do ta kenë së pari pushuesit, e më pas edhe bizneset që operojnë në këtë zonë, që rrezikojnë të përballen me më pak turistë, qoftë vendas apo të huaj.
Nga ana tjetër kërkesa për rishikimin e projektit, në disa pjesë ku ka probleme që lidhen me përmbytjet, mund të bëjë që kjo rrugë të mos mbyllet as deri ne 3 mujorin e parë të 2019-ës, duke shkuar drejt asaj që edhe më herët e kishim paralajmëruar, që rruga të mbyllet për inaugurim pak përpara zgjedhjeve të 2019-ës, apo në kulmin e fushatës elektorale.
Kjo është një strategji e njohur, e që duket se do të jetë zgjedhja e qeverisë për të sfiduar në një bastion të djathtë siç ka qenë në gjithë këto vite bashkia e Shkodrës.
Edhe këtë herë më shumë sesa për komunitetin, qeveria ka menduar për strategjinë personale të saj, duke i dhënë veriut të vendit nga njëra anë premtimin për një rrugë moderne, por nga ana tjetër duke “minuar” një sezon të tërë turistik, pasi nga kaosi dhe radhët e gjata, turistët mund të zhvendosen në Shëngjin, apo Mal të Zi, duke e lënë Velipojën këtë verë të braktisurën e madhe!