Komisioneri i Zgjerimit Johannes Hahn ka dhënë një intervistë në EURACTIV në Gjermani ku ka folur për vendimet e BE-së pro Shqipërisë dhe Maqedonisë dhe kundër Turqisë.
Hahn shpjegon pse Komisioni ka vendosur të rekomandojë hapjen e negociatave të pranimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë dhe se si, me ndihmën e një bashkimi doganor me Turqinë , do të arrihet të qetësohen kundërshtarët dhe të bëjë të ndihen mirë mbrojtësit e BE në Turqi.
“Siç është theksuar në strategjinë tonë për Ballkanin Perëndimor të botuar në shkurt, nevojitet progres, veçanërisht në sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit, promovimin e klimës së investimeve dhe sipërmarrjen, si dhe përmirësimin e marrëdhënieve fqinjësore.
Anëtarësimi në BE është i mundur vetëm nëse përmbushen kriteret e përcaktuara qartë dhe zbatohen reformat e nevojshme.
Ne vlerësojmë progresin e secilit vend në mënyrë individuale. Dhe parimi vazhdon: Cilësia përpara shpejtësisë” thekson Hahn.
Pyetjes nëse ka një afat të përafërt për bisedimet e pranimit me vendet e Ballkanit, komisioneri i Zgjerimit thotë se vlerësimi bëhet në raport me hapat e reformave.
Hahn nuk ka folur specifikisht për Shqipërinë por thotë se është gjithashtu në interesin e BE-së të eksportojë stabilitetit për të parandaluar çdo tendencë paqëndrueshmërie në rajon.
Për Turqinë Brukseli ka një optikë tjetër ndonëse pranon se janë bërë hapa mbrapa në rrugën e saj drejt BE-së, madje ajo që propozohet është një bashkim doganor me Ankaranë.
“Turqia është ende një fqinj i rëndësishme gjeostrategjik, me të cilin duhet të vazhdojmë bashkëpunimin tonë në fushat me interes të përbashkët.
Shembulli i marrëveshjes së refugjatëve tregon se një bashkëpunim ka kuptim dhe funksionon kur të dyja palët përmbushin kushtet e bëra.
Unë jam ende i bindur se një modernizim i bashkimit doganor midis BE-së dhe Turqisë do të sjellë gjithashtu përfitime të mëdha për BE-në” shtoi Hahn.