7 vjet burg për falsifikuesen e pronave në Kashar

Tuesday, 24 Prill 2018 15:16

Henrieta Hyka, ish-përgjegjësja  e Kadastrës në Këshillin e Qarkut, është dënuar me 7 vjet burg, pasi ka falsifikuar tjetërsimin e pronësisë së tokave në zonën e Kasharit.

Por, duke qenë se akuza e falsifikimit të dokumenteve është e parashkruar, për shkak të viteve që kanë kaluar, me kërkesë të Prokurorisë, gjykata e shpalli fajtore Hykën për veprën penale “të pastrimit të produkteve të veprës penale”.

Shqyrtimi gjyqësor vërtetoi veprimtarinë kriminale të ish-zyrtares me qëllim përfitmin me pa të drejtë për njerëzit e saj të afërm të mijëra metrave/katrorë truall në zonën e Kasharit.

Përveç falsifikimit të pronësisë së tokave, sikur ishin dhënë me ligjin 7501, falsifikimi kishte arritur deri në atë pikë, sa një sipërfaqeje prej 500 metra/katrorë truall, i është shtuar shifra 4 përpara duke e regjistruar truallin si 4500 metra/katrorë.

Hyka gjithashtu kishte tentuar tu kalonte pjesë toke dhe 5 firmave të cilat kishin ndërtuar pallate në këtë zonë, por kjo tentativë nuk ka patur sukses, pasi verifikimi i dokumenteve dhe praktikave zbuloi skemën mashtruese që solli më pas nisjen e ndjekjes penale dhe dënimin e ish-përgjegjëses së Kadastrës me 7 vite burg.

Login to post comments