Oficeri vrau veten, FRPD: Bosët e krimit po ja hedhin Vetting-ut

E mërkurë, 25 Prill 2018 13:41

Një oficer policie ditën e djeshme i dha fund jetës në Fier, pak minuta pasi ai kishte mbyllur turnin.

Ngjarja e rëndë u zbulua nga kolegët e tij, ndërsa babi i efektivit u shpreh në mediat se ai e mori këtë akt, pasi ishte i shqetësuar lidhur me procedurat e vetting-ut.

Ai ishte i shqetësuar kohët e fundit pasi në kuadër të këtij procesi kërkoheshin dhjetëra dokumente, ku plotësimi i tyre duhej të bëhej në një kohë të shkurtër.

Për Vetting-un, ditën e sotme ka reaguar edhe kreu i Forumit Rinor të Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ku ka theksuar se bosët e krimit që janë në policia po dalin të pa larguar, ndërsa ata që po e pësojnë janë policët e thjeshtë.

Reagimi i plotë i Belind Këlliçit

Formulari i Vettingut në policinë e shtetit po kthehet në një shqetësim real për efektivët e thjeshtë të rendit që çdo ditë përballen me krimin e rrugës që u rrezikon jetën, në një kohë që shumë prej shefave të tyre janë duke ngrënë ndonjë darkë në restorantet luksoze të bregdetit me personazhe VIP të botës së krimit. 

Policëve u kërkohet të plotësojnë një formular të detajuar a thua se punojnë në strukturat e FBI-së amerikane, sakaq eprorët e tyre janë militantë të devotshëm me teserë partie që e kanë katandisur Policinë e Shtetit në ditët e saj më të zeza. 48 vjeçari Fatmir Fafa nga Fieri, është viktima e parë e kësaj marrëzie të radhës të qeverisë, teksa ai u vetëvra me armën e shërbimit në ambientet e Komisariatit Fier.

Babai i të ndjerit u shpreh qartë për mediat, se djali i tij u vetëvra pikërisht për shkak të presionit nga procesi i vettingut. Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj, përpara se të bëjë vettingun për policët e thjeshtë, duhet të japë shpjegime se përse paraardhësi i tij, i hetuari nga Antimafia Italiane për trafik droge Saimir Tahiri, me bekimin e të cilit u kanabizua i gjithë vendi, nuk është sot prapa hekurave, por bën gangsterin në Parlament dhe kërcënon me gjuhë rruge qeverinë për të mos e tradhëtuar.

Bashkëpunëtorët e Saimir Tahirit, ish drejtues të lartë të policisë së “rilindur” të Edi Ramës, sot janë zhdukur nga sytë këmbët e jo nga frika e këtij shteti, por nga frika e trafikantëve që u prenë në besë. Të flasësh për Vetting në polici në një kohë që duhet bërë vetting në qeveri, është një paradoks i madh dhe shoë i panevojshëm.

Saimir Tahiri dhe shpura e tij në Ministrinë e Brendshme, me lejen e Edi Ramës e vunë Policinë e Shtetit në shërbim të grupeve të drogës, që sot janë zotërit e vërtetë të vendit, pasi kjo qeveri nuk ka vullnetin e as moralin ti luftojë.

 Më shumë se kurrë, sot dinjiteti i policit të thjeshtë shqiptar është nëpërkëmbur, e kjo për shkak të një strategjie të qartë të vënies së policisë në shërbim të trafikantëve, për të blerë vota, e për të siguruar mandate deputetësh për individë që sot do duhej të ishin prapa hekurave, e jo në tempullin e demokracisë, në parlament.

Kur Policia e Shtetit nuk është e aftë të mbrojë veten e të parandalojë tragjedi brenda radhëve të saj, merreni me mend se sa të mbrojtur janë qytetarët e këtij vendi.

/55News.al/

Login to post comments