Policia greke ka vënë në pranga ditën e djeshme 4 shqiptarë, të cilët janë kapur duke transportuar drogë.
Mediat greke sqarojnë se policia ka kryer një operacion në Grevena, ku ka arrestuar 4 shqiptarët të moshave 27, 29, 32 dhe 27 vjeç, ndërsa identiteti i tyre nuk bëhet me dije.
Po ashtu bashkë me 4 shqiptarët është arrestuar edhe një grek, që ishe bashkëpunëtor i tyre. .
Në automjetin e parë udhëtonin dy prej shqiptarëve dhe shtetasi grek, të cilët kontrollonin rrugën. Ndërsa në mjetin e dytë ndodheshin dy shqiptarët e tjerë, të cilët po transportonin 248 kg kanabis të papërpunuar.
Policia, e cila kishte organizuar aksionin anti-drogë, bëri të mundur arrestimin e transportuesve të lëndëve narkotike.
Kanabisi i ndarë në 80 pako u sekuestrua, si dhe 540 Euro, një kartë identiteti greke false, 9 celularë dhe dy automjetet e tyre.
Njëri prej shqiptarëve që ishte shofer i makinës së parë, ka qenë në kërkim që prej 15 Shkurtit të vitit 2013, si i arratisur nga burgu i Trikallas, ku vuante dënimin për drogë.